Pas tensioneve ushtarake, Rubio i bën ofertë Iranit: Bisedime të drejtpërdrejta, por pa pasurim uraniumi

1 minute, 23 seconds Read

Në një deklaratë pas tensioneve të larta ushtarake, Senatori i njohur amerikan, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Iranit për negociata të drejtpërdrejta, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë “të përgatitura të diskutojnë me ta qysh nesër”.

Duke folur për “Fox News”, Rubio përsëriti qëndrimin amerikan se Irani mund të ketë një program bërthamor për qëllime civile, por pa të drejtën për të pasuruar uranium.

“Regjimi iranian duhet të zgjohet dhe të kuptojë se nëse duan energji bërthamore, ekziston një mënyrë për ta arritur këtë. Ajo ofertë është ende në tryezë,” tha Rubio.

Ai argumentoi se nevoja për veprim ushtarak lindi sepse Irani “u përpoq të luante lojëra” gjatë përpjekjeve të mëparshme për negociata. Sipas senatorit, Teherani i hodhi poshtë propozimet e SHBA-së, nuk iu përgjigj ofertave dhe “u zhduk për 10 ditë” para se të ndodhte operacioni ushtarak.

Rubio shtoi se pavarësisht se Irani dërgon mesazhe përmes ndërmjetësve, ata refuzojnë të komunikojnë drejtpërdrejt me zyrtarët amerikanë.

“Nëse ajo që duan janë reaktorë bërthamorë për të prodhuar energji elektrike, ata mund ta bëjnë këtë pa pasur nevojë të pasurojnë uraniumin e tyre, siç bëjnë shumë vende të tjera në botë,” përfundoi ai.

Nga ana tjetër, Irani zyrtar e ka hedhur poshtë vazhdimisht idenë e heqjes dorë nga e drejta për të pasuruar uranium në territorin e vet, duke e bërë këtë pikë pengesën kryesore për çdo marrëveshje të mundshme, raporton lajmishqip.

Publikime te ngjashme