Pas arratisjes nga arresti shtëpiak i ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë – Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë ka reaguar ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.
Klinaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook e ka përgëzuar Ramadanin për arratisjen nga arresti shtëpiak pasi siç tha “nga arresti shtëpiak vendosën që ta kthenin në paraburgim me qëllim ekstradimi në Serbi”.
Ai tha se: “Shteti artificial i Maqedonisë paska lëshuar flet arrest ndaj tij, sepse do që të zbatojë urdhrat e Vuçiqit”.
“Pasi nga arresti shtëpiak vendosën që ta kthenin në paraburgim me qëllim ekstradimi në Serbi, Blerim Ramadani u arratis dhe bëri shumë mirë.
Shteti artificial i Maqedonisë paska lëshuar flet arrest ndaj tij, sepse do që të zbatojë urdhrat e Vuçiqit.
Ky pushtet i ardhur në Maqedoni, e që fatkeqësisht në emër të ndryshimit u ndihmua nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së. Por, le ta kuptojnë se nëse vazhdohet kjo politikë e përndjekjes së shqiptarëve, për çdo eskalim të situatës do të jenë përgjegjës”, ka shkruar Klinaku në Facebook./Telegrafi