Paramilitarë serbë përgj*kin Ukrainën

1 minute, 37 seconds Read

Me 24 shkurt mbushet plot një vit nga agresioni rus mbi Ukrainën.

Në emër të gjoja demilitarizimit dhe denazifikimit, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi një “operacion special” në mëngjesin e 24 shkurtit, shkruan Kosova Post.

Mbi 200 mijë forca ushtarake ruse sulmuan nga veriu dhe verilindja duke iu afruar kryeqytetit, Kievit.

Derisa kjo luftë shkaktoi largimin e rreth 8 milionë ukrainasve dhe qindra mijëra viktima, shumica e vendeve perëndimore u rreshtuan me Ukrainën.

I vetmi vend në Evropë që refuzoi t’i bashkohej sanksioneve ndaj Rusisë dhe shkëputjes së marrëdhënieve me Moskën ishte Serbia.

Kjo mbështetje tashmë është edhe në formën e vullnetarëve që po marrin pjesë si njësi paramilitare në rajonin e Zaporozhyes.

Faqja “Syria”, e cila siç merr vesh portali Kosova Post është e lidhur me bazën ruse në Latakia në Siri, ka publikuar fotografi të paramilitarëve serbë.

“Vullnetarë nga Serbia po luftojnë në anën e ushtrisë ruse në rajonin e Zaprozhyes”, thuhet në përshkrimin e shkurtër të këtij njoftimi që prej ditësh është afishuar në këtë medium prorus në Siri.

Paramilitarë serbë janë lajmëruar në Ukrainë qysh më 2014 me rastin e aneksimit të Krimesë dhe më pastaj në rajonet e Luhanskut dhe Donbasit.

Mbështetja popullore serbe për agresionin rus ishte zëruar edhe nga emra të njohur të artit e popkulturës në Serbi si regjisori nacionalist Emir Kosturica dhe këngëtari i turbotallavasë jugosllave, Goran Bregoviq.

Më 2015, për shkak të përkrahjes që i kishte dhënë regjimit të Putinit, autoritetet e Kievit e kishin shpallur person non grata Goran Bregoviqin, të cilin kryeministri Edi Rama më 2005, në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, e pati nderuar me çmimin “Çelësi i Tiranës”, kurse më 2021, në gusht, ishte i ftuar special në një koncert në Korçë në margjinat e festivalit të Birrës. /Kosova Post

Publikime te ngjashme