Palestinezi nga videoja që shokoi botën 23 vite më parë, sërish varros më të dashurit, i biri iu vra në duar e tani vajton vëllezërit

2 minutes, 6 seconds Read

Jamal al-Durrah është duke vajtuar dy anëtarë të vrarë të familjes në sulmet ajrore izraelite në Gazë.

Ky baba nga Palestina, 23 vite më parë u filmua me të birin Mohammad, që asokohe ishte 12-vjeç, duke u fshehur prapa një shtylle të betonit në një rrugë në Gazë, derisa forcat izraelite qëllonin mbi ta, transmeton Telegrafi.

Në videon e filmuar nga Talal Abu Rahma, kameramani i televizionit francez, shihet Jamal duke tentuar të mbrojë fëmijët e tij nga plumbat derisa bërtet i tmerruar me atë çfarë po ndodhte.

Disa sekonda më pas ndodhë një shpërthim, e pasi që largohet tymi, shihet djaloshi që nuk lëvizë fare në kraharorin e babait të tij të plagosur.

Fotografitë e vrasjes së tij kishin bërë xhiron e botës dhe dyshja u bënë simbol të rezistencës palestineze. Tani, vite më vonë, Jamal po ballafaqohet me një sfidë të njëjtë – derisa varros anëtarë tjerë të familjes së tij.

Në videon e postuar në X, shihet duke qëndruar i gjunjëzuar pranë dy kufomave të mbuluar me çarçafë të bardhë, të cilët pretendohet se janë vëllezërit e tij.

“Zoti ta lehtësoftë dhimbjen. Lamtumirë. Na dhashtë zoti  durim”, thotë Jamal.

Është një prej momenteve më të rënda të filmuar me kamerë që kur izraelitët filluan ofensivën në Rripin e Gazës si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit.

Jamal, zdrukthëtar dhe moler nga Gaza, më 30 shtator të vitit 2000 u godit me 12 plumba, ku si pasojë i kaloi muaj të tërë në spital derisa u shërua plotësisht.

Tani është një prej dhjetëra mijëra banorë të Gazës, që sërish po përjetojnë tmerret gjatë përpjekjeve të Hamasit që ta neutralizojë Hamasin.

Në një intervistë të rrallë, Jamal tha më 2021 për Anadolu Agency se pamjet e djalit të tij dëshmojnë vrasjen e qindra palestinezëve që kryesisht mbeten të padokumentuara.

“Tmerret që i përjetoi djali im bota nuk i ka harruar. Kurrë nuk do ta harrojnë”, tha Jamal.

Banorët e Gazës që janë nën kontrollin e Hamasit kanë thënë se sulmet e mbrëmshme ishin më të rënda në këto dhjetë ditë luftë.

Lagje të tëra janë rrafshuar, e nën gërmadha kanë mbetur 1 mijë persona. Numri i të vdekurve ka shkuar në 2.750 derisa i të plagosurve civilë në 10 mijë. /Telegrafi

Publikime te ngjashme