Connect with us

Lajme

Organizata serbe: Radoiçiq dhe Veselinoviq, në listën e agjentëve bashkëpunues të Putinit

Publikuar

me

Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviqit që është drejtues i grupeve kriminale në veri të Kosovës, tashmë gjenden në listën e agjentëve bashkëpunues të presidentit rus Vladimir Putin.

Në listën TIPARS, publikuar nga organizata “Grupi i Tetorit”, që lufton ndikimin rus në Serbi, përveç tyre në këtë renditje gjendet edhe i pari i spiunëve të BIA-së, Aleksandar Vulin dhe ultranacionalisti Vojsllav Sheshel.

“Kontrolli mbi serbët në Kosovë; Zbatimi i veprimeve që ka për qëllim parandalimin e integrimit të tyre në shoqërinë e Kosovës; Krijimi i kultit të Vladimir Putinit te serbët e Kosovës; dhe Manipulimi emocional dhe psikologjik i serbëve në Kosovë”, thuhet në arsyetimin e interesave që Radoiçiq dhe Veselinoviqit i realizojnë karshi Putinit.

Ndërsa përfitimet që marrin ata janë që lidhen për lobimin në strukturat e Qeverisë së Serbisë.

Po ashtu, në këtë listë është edhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ish-ministri Vuk Jeremiq, drejtuesi i grupit ekstremist “Patrulla Popullore”, Damjan Knezheviq, kryetari i partisë ultranacionaliste “Dveri”, Boshko Obradoviq, drejtori i Serbia Gas, Dushan Bajatoviq, udhëheqësi i partisë ekstremiste “E djathta serbe”, Misha Vaciq si dhe shumë gazetarë pro-pushtetit serb, biznesmenë e politikanë të tjerë.

Veselinoviq dhe Radoiçiq në Kosovë kërkohen si të dyshuar për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Ata dhe disa nga kompanitë e tyre fillimisht u sanksionuan nga Departamenti amerikan i Thesarit, me arsyetimin se i përkasin rrjeteve të korruptuara të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.

Britania e Madhe gjithashtu vendosi sanksione kundër tyre. Për Radoiçiqin, britanikët thonë ai përfiton nga abuzimi me kontratat shtetërore dhe se përdor ndikimin për t’i dhënë kontrata fitimprurëse kompanive të ndërtimit që ai zotëron.

Në shpjegim thuhej se Zvonko Veselinoviq përdorte kontrata publike për të përvetësuar fondet shtetërore.

Reklama