Hetuesit e antidrogës së Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës kanë nisur hetimet lidhur me veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit,” sipas kodit penal të Republikës së Kosovës.
Në tre lokacione të ndryshme janë gjetur bimë të dyshuara për kanabis sativa, me gjatësi prej 20 deri në 50 cm.
Vendi i ngjarjes është Fshati Panorc në Malishevë, në një zonë të thellë të quajtur “Lugajat.”
Policia ka konfirmuar se hetimet janë në vazhdim për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë personat përgjegjës për këtë aktivitet të paligjshëm.
Sipas zyrtarëve të Policisë, janë identifikuar tre persona të dyshuar për përfshirje në këtë veprimtari.
“Me kërkesë nga rajoni kompetent, Prokuroria ka autorizuar publikimin e fotografive të personave të paidentifikuar (NN), në mënyrë që të mundësohet identifikimi dhe arrestimi i tyre,” njofton PK.
Policia ka bërë thirrje për ndihmën e qytetarëve.
“Kërkojmë nga qytetarët që për çdo informacion lidhur me identitetin ose vendndodhjen e personave të publikuar të njoftojnë Policinë e Kosovës në numrin 192 ose 045285169.
“Çdo informacion do të trajtohet me konfidencialitet të plotë”, njofton Policia./Telegrafi