Moska lëshon pe? Kremlini konfirmon gatishmërinë për të diskutuar zbarkimin e trupave evropiane në Ukrainë

1 minute, 5 seconds Read
Banner Description

Kremlini zyrtar ka konfirmuar këtë të mërkurë se, ndonëse qëndrimi rus mbi dislokimin e mundshëm të trupave evropiane në Ukrainë është i njohur, kjo çështje mbetet gjithsesi e hapur për t’u diskutuar në kuadër të një marrëveshjeje paqeje të sponsorizuar nga SHBA-ja.

Referuar raportimeve nga prestigjiozja “New York Times”, propozimet aktuale amerikane parashohin që Ukraina të përfitojë garanci sigurie nga Perëndimi, ndërsa një forcë ushtarake evropiane do të asistonte vendin duke u pozicionuar në Ukrainën Perëndimore, larg vijave të zjarrit.

I pyetur rreth këtyre zhvillimeve, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, refuzoi të komentojë çdo detaj diplomatik në media, por nënvizoi se edhe pse Moska është parimisht kundër një dislokimi të tillë, tema mbetet në tryezë për diskutim.

“Pozicioni i Rusisë kundër çdo vendosjeje të trupave është i qartë, megjithatë kjo mbetet një temë e hapur për diskutim”, deklaroi prerazi Peskov.

Zyrtari i lartë rus bëri të ditur gjithashtu se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, nuk pritet të realizojë ndonjë vizitë në Moskë gjatë kësaj jave.

“Rusia pret që pala amerikane ta informojë Moskën mbi rezultatet e bisedimeve me Ukrainën, sapo ato të jenë finalizuar”, përfundoi Peskov./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme