Mijëra qytetarë marshojnë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

1 minute, 6 seconds Read

Në nisje të “Marshit për Drejtësi”, të organizuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që janë në Hagë, njëri nga ideatorët e platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se “UÇK-ja është emëruesi ynë i përbashkët, është vlera më sublime që e kemi krijuar së bashku”.

Marshi, i organizuar nga kjo platformë nisi në orën 14:00 nga sheshi “Zahir Pajaziti” në drejtim të sheshit “Skënderbeu”. Aty, veç Tashollit, fjalën e morën edhe përfaqësues nga organizatat që kanë shprehur përkrahje për këtë marsh.

Vajza dëshmorit Fatmir Fazlia, Flaka, tha se UÇK-ja nuk ka kryer krime dhe nuk “është organizatë kriminale, por organizatë çlirimtare”.

Bajram Çerkini nga Qendra Burimore për Personat e Zhdukur tha se ashtu siç u shpallën të pafajshëm Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj nga Tribunali i Hagës, të pafajshëm do të shpallen edhe ata që sot po gjykohen në Hagë.

Në mënyrë të organizuar, mijëra qytetarë nga vende të ndryshme të Kosovës erdhën për të marshuar në kryeqytet.

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”, ishin disa nga pankartat që protestuesit i mbanin në duar.

Publikime te ngjashme