Mehaj: Marshimi i ushtarëve në Mitrovicë nuk ka të bëjë me situatën në veri

3 minutes, 33 seconds Read

215 ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë kryer sot një marshim në Mitrovicën e Jugut.

Lidhur me këtë marshim, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka bërë apel tek të gjithë që aktiviteteve të tilla mos t’iu jepet konotacion tjetër.

Ai po ashtu ka thënë se ky marshim nuk ka të bëjë asgjë me situatën e sigurisë në veri të Republikës.

“Sot Regjimenti i tretë kanë realizuar marshimin kondicional, i cili ka qenë i planifikuar për 215 ushtarë tanë. Marshimi në Mitrovicë ka filluar nga kazerma “Minatori” deri në fshatin Frashër dhe është bërë kthimi sërish në kazermë” – ka thënë Mehaj.

Ministri tutje ka shtuar se përgjegjësinë për sigurinë e qytetarëve e ka Policia e Kosovës, e cila sipas tij është në krye të detyrës dhe është duke kryer me shumë sukses punën e saj.

Mehaj ka bërë lutje tek qytetarët që të mos iu besojnë dezinformatave dhe lajmeve të rreme.

Edhe FSK ka njoftuar për këtë marshim që u bë sot duke thënë se kjo është mbajtur në kuadër të aktiviteteve të planifikuara ka marshimet kondicionale dhe taktike.

“Në vazhdën e kësaj, Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore (R3KFT) ka realizuar marshimin kondicional për të cilin kanë qenë të njoftuar Komandanti i Batalionit të KFOR-it, dhe stafi i tij të vendosur në bazën e KFOR-it në Maxhunaj” – thuhet në njoftim.

Tutje u tha se në kuadër të planit mujor të trajnimeve për muajin qershor 2023, sot R3K ka realizuar marshimin 12 kilometra në zonën e përgjegjësisë, zona e Mitrovicës.

“Marshimi është realizuar duke filluar nga ora 09:00 nga kazerma “Minatori” në drejtim të fshatrave Bajr, Frashër i Vogël dhe Frashër i Madh. R3K në këtë marshim ka marrë pjesë gjithsej me 215 pjesëtar. Qëllimi i këtij marshimi ka qenë mbajtja dhe përmirësimi i gatishmërisë fizike të pjesëtarëve të R3K” – thuhet tutje.

Po ashtu u tha se marshimet janë aktivitete të zakonshme të njësive të FSK-së, dhe realizohen disa herë përgjatë vitit kalendarik në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore (R3KFT) gjatë marshimit në Mitrovicë. Foto: FSK

Regjimenti i Tretë i Forcave Tokësore (R3KFT) gjatë marshimit në Mitrovicë. Foto: FSK

Që nga 26 maji, qytetarët serbë në veri të vendit janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të zgjedhur më 23 prill 2023, nëpër objektet komunale në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok.

Gjatë protestave me dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it dhe protestuesve mbetën të lënduar. Të lënduar gjatë këtyre ditëve pati edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Me lëndime trupore mbetën edhe gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët që nga fillimi i protestave janë sulmuar disa herë gjatë raportimeve të tyre nga kjo zonë.

Veturat e mediave, e edhe të Policisë së Kosovës u thyen e u djegën.

Për sulmet që u bënë në drejtim të gazetarëve u arrestuan disa persona, e një nga të arrestuarit gjatë këtyre ditëve po dyshohet të jetë i përfshirë edhe në sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it e po ashtu edhe për sulm ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor, KKZ në dhjetor të vitit të kaluar në veri.

Më 14 qershor Policia e Kosovës kishte konfirmuar se tre zyrtarë policorë kufitar patrullues ishin kidnapuar nga autoritetet  serbe brenda territorit të Kosovës.

Tre policët e Kosovës të cilët gjenden në një qendër paraburgimi në Kralevë të Serbisë, më 19 qershor u vizituan nga shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari.

Gjykata e Lartë në Kralevë, më 16 qershor mori vendim për masën e paraburgimit prej 30 ditëve ndaj policëve të Kosovës.

Për lirimin e tyre, pati kërkesa të shumta nga ana e ndërkombëtarëve e edhe nga ana e udhëheqësve shtetëror të Kosovës.

Publikime te ngjashme