Mbyllet kapitulli gjyqësor për Behar Mjekiqin, zbardhet vendimi i gjykatës pas akuzave për dhunë në familje

1 minute, 57 seconds Read

Më 31 mars të vitit 2023, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte proceduar aktakuzën ndaj hoxhës Behar Mjekiqi, nën dyshimin për konsumimin e veprës penale të dhunës në familje.

Sipas dosjes së prokurorisë, Mjekiqi pretendohej se kishte ushtruar presion, kërcënime dhe kishte cenuar integritetin e bashkëshortes së tij të dytë, me të cilën kishte lidhje sipas ritetit islam. Organet e ndjekjes theksonin se çifti bashkëjetonte herë pas here, ndonëse marrëdhënia e tyre ishte karakterizuar nga tensione të vazhdueshme.

Prokuroria detajonte se rreth dy vite më parë, në ditën e incidentit, Mjekiqi kishte nisur largimin e gjërave personale të bashkëshortes me qëllim dëbimin e saj nga banesa. Në momentin kur ajo kishte tentuar të lajmëronte familjen, ai dyshohej se ia kishte rrëmbyer telefonin me forcë, duke ia bllokuar çdo mundësi komunikimi.

Dyshimet e prokurorisë shkonin deri te përdorimi i forcës fizike. Aktakuza përshkruante se hoxha e kishte kapur viktimën për flokësh dhe krahu, duke e tërhequr dhunshëm nga dhoma e gjumit drejt korridorit, ku më pas e kishte përplasur në dysheme.

Viktima me inicialet E.J. kishte deklaruar se ishte penguar me forcë që të largohej nga shtëpia, derisa më në fund kishte arritur të kërkonte ndihmën e Policisë së Kosovës. Pas denoncimit, ajo i ishte nënshtruar ekzaminimeve mjekësore, ku raportohej se ishin konstatuar lëndime në trup.

Në anën tjetër, i pandehuri Mjekiqi gjatë procesit i kishte hedhur poshtë këto pretendime, duke mohuar kategorikisht dhunën dhe duke argumentuar se veprimet e tij kishin pasur si qëllim vetëm de-eskalimin e situatës.

Mbrëmjen e kaluar, përmes një paraqitjeje televizive, Mjekiqi ka bërë publik një dokument që sipas tij është Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 06.01.2025, i cili e liron atë plotësisht nga të gjitha akuzat.

Lidhur me ndikimin e këtij procesi, hoxha ka deklaruar se publikimi i pretendimeve të ish-bashkëshortes nuk e ka shqetësuar në rrugëtimin e tij.

“Para Zotit jam tërësisht i pastër. Po ashtu, ndihem i qetë karshi nënës, gruas, djalit, familjes dhe mbarë shoqërisë sime”, ka përfunduar ai./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme