LVV-ja e quan “bandë rrugaçësh” PDK-në: Sulmuan me grushta teksa po fliste Kurti

1 minute, 38 seconds Read

Lëvizja Vetëvendosje ka lëshuar një komunikatë për media pas rrahjes së sotme në Kuvendin e Kosovës.

Të enjten, deputetët opozitarë nga radhët e PDK-së u përleshën me zyrtarë të LVV-së, duke përfshirë këtu zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati.

Mirëpo, LVV-ja pati akuza goxha të ashpra ndaj deputetëve të PDK-së, duke i quajtur “bandë rrugaçësh”.

“Krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë. Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht”, thuhet në reagimin e LVV-së.

“Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushta, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”.

Sipas LVV-së, “ky sulm po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv/ministër të kontrolluar nga Beogradi”.

LVV-ja pretendon se ky sulm po bëhet pikërisht në një moment të rëndësishëm të ballafaqimit diplomatik e jo vetëm të Kosovës me Serbinë.

“Ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar për drejtësi dhe kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë e shtetin tonë për t’u pasuruar padrejtësisht, nuk do të amnistohen”.

Publikime te ngjashme