Kurtit s’ia lënë shenjë kritikat e ndërkombëtarëve, s’e ka ndërmend të lëshojë pe në dialog me Serbinë

4 minutes, 0 seconds Read

“Ne jemi në të drejtën tonë”. Kjo është përgjigja e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, lidhur me procesin e dialogut me Serbinë, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, raporton Gazeta Sinjali.

Takimi i tetë në kuadër të dialogut mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve evropianë, Josep Borrell e Miroslav Lajçak, që u mbajt më 14 shtator në Bruksel, u mbyll pa rezultate. Kjo pasi sipas diplomatit Borrell, Kurti nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara, për dallim prej Vuçiq, për të cilin pohoi se e ka pranuar propozimin e tyre për zbatimin e Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

E pas këtij takimi të dështuar, vazhdimisht ka pasur thirrje që Kosova të jetë më konstruktive dhe kritika të ashpra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE-ja në drejtim të Kurtit. Ato u bënë edhe më të ashpra pas konferencës së Kurtit të hënën, ku ai akuzoi direkt emisarin evropian Lajçak për anëshmëri në dialog, duke thënë se ai është pozicionuar kundër Kosovës.

I pari i Qeverisë kosovare tha se në rundin e fundit të dialogut, ai “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi, kundër Marrëveshjes [drejt normalizimit të raporteve] në veçanti”, duke iu referuar të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Lajçak.

Kryeministri Kurti u shpreh se dukej që kishte një koordinim mes Vuçiq, dhe Lajçakut për, siç tha ai, krijimin e një “skenari alternativ, ku gjysma e marrëveshjes zbatohet”.

Menjëherë pas këtyre deklarateve që Kurti i dha nga ndërtesa e qeverisë që e udhëheq – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Bashkimi Evropian kanë dalë me komunikata mbështetëse për Miroslav Lajçakun, duke e vlerësu punën e tij në dialog.

DASH vlerësoi të hënën ato që i quajti përpjekje të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi.

Po ashtu DASH shprehte zhgënjimin mbi mungesën e përparimit në takimin e 14 shtatorit, duke shtuar se dialogu i lehtësuar nga BE-ja është e vetmja rrugë përpara për Kosovën dhe Serbinë.

DASH e përfundoi reagimin e tij duke shtuar se Uashingtoni është plotësisht i bashkuar me vendet e partnere të Kuintit në mbështetjen që i jep procesit të dialogut.

Pas këtij reagimi, emisari evropian Lajçak është takuar me këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe emisarin special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Lajçak pas takimit tha se është gjithnjë i dobishëm rikonfirmimi se ShBA-ja dhe BE-ja e kanë të njëjtin lexim të situatës në Ballkanin Perëndimor.

Për gjithë situatën ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.

Sipas komunikatës të lëshuar në fillim të javës, si Kosova edhe Serbia po rrezikojnë të humbasin mundësitë për të përparuar në rrugët e tyre evropiane.

Kjo pasi, BE ka shprehur shqetësimin e saj për mungesën e zbatimit nga palët të angazhimeve të tyre sipas Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të Zbatimit të saj, të cilat të dyja palët të rënë dakord në fillim të këtij viti, dhe të cilat janë të detyrueshme për to dhe luajnë një rol në rrugën evropiane të palëve.

Pas gjithë këtyr reagimeve, ende nuk dihet se cila do të jetë rruga e re e Kurtit në dialogun me Serbinë.

Ndryshe, rundi i fundit i dialogut në Bruksel, më 14 shtator, ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, përfundoi pa përparim në normalizimin e marrëdhënieve.

Ky ishte takimi i parë mes Vuçiqit dhe Kurtit pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës në fund të majit.

Kurti tha se në Bruksel propozoi një plan për zbatimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj.

Kjo marrëveshje nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat. Po ashtu palët zotohen se do të zbatojnë marrëveshjet e arritura më herët në procesin e dialogut./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme