Kurti: Rieskalimi në veri s’mund të ndodhë pa organizim të protestave të dhunshme nga Serbia

1 minute, 45 seconds Read

Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se depërshkallëzimi në katër komunat veriore të Kosovës ka ndodhur tashmë dhe se duhet punuar për parandalim të riesklaimit që sipas tij nuk mund të ndodh nëse atje nuk organizohen protesta të dhunshme nga ana e Beogradit zyrtar.

Kurti të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë, ka folur për pjesëmarrjen e tij në darkën joformale të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, që u mbajt të hënën mbrëma në Athinë si dhe takimet bilatertale që ka zhvilluar atje.

“Në darkën e përbashkët që patëm unë theksova se anëtarësimi i Kosovës në BE nuk ka alternativë, që të gjitha shtetet që aspirojnë anëtarësimin në BE duhet ta zbatojnë demokracinë, sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe fqinjësinë e mirë dhe se për fqinjësi të mirë, demokratike e evropiane është e domosdoshme njohja reciproke de-jure e de-facto si dhe të drejtat e pakicave në mënyrë simetrike e sipas konventave evropiane”, ka deklaruar Kurti.

Ai gjithashtu ka folur për situatën në veri duke thënë se kanë kaluar dy muaj prej kur është regjistruar incidenti i fundit serioz atje dhe edhe më shumë kohë prej kur ka pasur protesta të dhunshme.

“Deeskalimi në katër komunat veriore të vendit praktikisht ka ndodhur, ndërkohë që Kosova është duke e respektuar marrëveshjen e Bratisllavës”, ka theksuar Kurti.

Ai ka thënë se për situatën në veri ka folur edhe në darkën dhe takimet që ka zhvilluar në Athinë. “Në takimet bilaterale dhe në darkën e përbashkët, po ashtu theksova se deeskalimi në katër komunat në veri është rezultat në njërën anë i arrestimit të elementeve të dhunshëm që sulmuan policinë tonë, ushtarët e KFOR-it dhe gazetarët, si dhe në anën tjetër i largimit të një pjese të ekstremistëve të dhunshëm për në Serbi”, ka deklaruar Kurti.

Publikime te ngjashme