Kurti përgjigjet Ramës për propozimin e tij lidhur me konferencën: “Kemi pasur konferenca ndërkombëtare, tash kemi marrëveshje”

1 minute, 31 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është përgjigur në lidhje me idenë e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama që të mbahet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën e Serbinë.

Sipas “Ekonomia Online”, Kurti ka deklaruar se ka pasur konferenca ndërkombëtare edhe në të kaluarën, por tash ka marrëveshje bazike.

“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti, në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çka duhet bërë është që pa kushte të implementohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi.” – citohet të ketë thënë ai.

Ndërkohë, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e konfirmoi se e mbështesin një ide për organizimin e një konference ndërkombëtare për të shtyer përpara çështjen mes Kosovës e Serbisë.

Ai madje, kërkoi edhe bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përveç shteteve anëtare të BE-së.

“Mbështesim plotësisht të gjitha përpjekjet e bëra së bashku me bashkëpunimin e mirë me NATO-n, nga përfaqësuesi i lartë Borrel, dhe dua të them se mbështesim edhe idenë që sa më shpejt të jetë e mundur të organizohet një konferencë me disa anëtarë të BE-së shumë aktive për të mbështetur të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese duke u koordinuar me SHBA-së, sepse ne e ndjejmë atë, gjithë të mirën për Ballkanin Perëndimor, me Ballkanin Perëndimor.”- tha ai para gazetarëve.

Publikime te ngjashme