Kurti nuk përjashton mundësinë e një sulmi të ri nga Serbia: Askush s’mund të dijë se çfarë mund të urdhërojë Vuçiqi

1 minute, 35 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka përjashtuar mundësinë e një sulmi të ri nga ana e Serbisë, kur në një intervistë për mediumin gjerman, Stern, është pyetur se cilat janë gjasat e një lufte të re në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk mund të përjashtojmë një sulm sepse nuk varet nga ne. Por, ne jemi vigjilentë dhe kemi mbështetjen e trupave tona dhe atyre të NATO-s, të cilët kanë shtuar mbështetjen e tyre që nga sulmi i shtatorit për të mbajtur vendin tonë të sigurt”, ka potencuar Kurti.

Sipas Kurtit, askush në këtë fazë nuk mund të dijë se çfarë do të urdhërojë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, policinë apo ushtrinë e Serbisë.

“Nëse ka demokraci, liderët e zgjedhur duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre. Kjo çon në parashikueshmëri. Por, diktatura shkakton rrezik. Vazhdimisht mund ta ndiejmë agresivitetin e Serbisë: ata kanë 48 baza ushtarake dhe xhandarmëri përreth kufirit me Kosovën – në formën e një patkoi”.

Duke folur për Marrëveshjen Bazë e dakordësuar fillimisht më 27 shkurt në Bruksel e i përforcuar me aneksin e zbatimit më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Kurti ka vlerësuar se Serbia po e shkel të njëjtë gati çdo javë, veçanërisht nenin katër duke bërë fushatë agresive kundër përfshirje së Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Veç kësaj, presidenti Vuçiq nuk e ka nënshkruar marrëveshjen: thotë se nuk e ka pranuar në përmbajtje, por vetëm si koncept. Problemi më i madh është se BE-ja nuk merr masa nëse Serbia shkel marrëveshjet”.

VIDEO BONUS: Osmani paralajmëron dërgimin e draft statutit në Gjykatë, kërkon që pushteti e opozita të jenë unik

Publikime te ngjashme