Kurti: Nuk na befason sjellja e Serbisë, është për t’u çuditur heshtja e ndërkombëtarëve

1 minute, 40 seconds Read

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është prononcuar për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, e cila u mbajt pas zhvillimeve të fundit në vend, ku gjatë ditës së djeshme forcat serbe kanë kidnapuar tre zyrtarë policorë në veri, raporton Gazeta Sinjali.

Kurti në konferencë për media tha se rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit demokratik të Kosovës dhe hakmarrje ndaj Policisë.

“Porsa e përfunduam mbledhjen e Këshillit të Sigurisë që u mbajt duke marrë si temë veprimin agresor të Serbisë dje, e cila rrëmbeu tre zyrtarë të Policisë së Kosovës në brendi të territorit të Republikës sonë. Me anëtarët e Këshillit të Sigurisë diskutuam për situtatën e përjgithshme të sigurisë me theks te katër komunat në very të vendit dhe brezit kufitar me Serbinë. Institucionet e sigurisë dhanë vlerësimet e tyre, ndanë të dhënat e fundit dhe gjithashtu dhanë rekomandimet e tyre. Rasti i djeshëm ishte agresion ndaj shtetit tonë demokratike dhe hakmarrje ndaj Policisë që po lufton krimin dhe destabilizimin në kohën kur ne kemi propozuar planin pesëpikësh për depërshkallëzim të situatës”, tha ai.

Kurti tha se Serbia nuk ka ndryshuar, ndërsa e vlerësoi të çuditshme sjelljen e ndërkombëtarëve.

“Ajo që është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Serbisë”, tha Kurti.

Për shkak të rastit të djeshëm, Kurti tha se institucionet e sigurisë “e kanë rritur nivelin e gatishmërisë”, ndërsa tregoi se janë shtuar kontrollet ndaj automjeteve me targa serbe, për shkak të sigurisë.

“Veprimet e radhës do të merren në bazë të rekomandimeve të institucioneve përkatëse”, tha ai dhe u bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë “që ta dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme