Kurti: Nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikë, por për t’u mbrojtur nga dikush

2 minutes, 26 seconds Read

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Fora e Sigurisë së Kosovës është shpresë për të ardhmen dhe na bënë krenar për të kaluarën.

Në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së klasës 2023 të kadetëve të Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kurti u shpreh se FSK ka krijuar imazhin dhe që nxjerr ushtarë të shkëlqyer që shërbejnë së bashku me ushtritë partnere.

Të diplomuarve ai u tha se thash e kanë mbi supe ruajtjen e qytetarëve dhe sovranitetin, madje u shpreh se “ne nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikën por për t’u mbrojtur nga dikush”.

Kurti përmendi edhe shtimin e buxhetit për ushtrinë, një rritje prej 82 për qind. Investimet për armatim tha se gati i kanë trefishuar.

“Diplomimi i sotëm nga Qendra për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës na jep shpresë për të ardhmen dhe na bënë krenar për të kaluarën. Na kthen në kohën 1999, ku nga shkollimi në fazë të luftës, ushtria jonë vazhdon të zhvillohet. Teksa po e shënojmë këtë gjeneratë, QSU e FSK ka krijuar imazhin dhe që nxjerr ushtarë të shkëlqyer që shërbejnë së bashku me ushtritë partnere”.

“Kemi lidhur bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar, Shqipërinë, Letoninë. Nga sot përveç gradën e oficerit, ju do ta keni mbi supe ruajtjen e qytetarëve dhe sovranitetin. Duke pranuar titullin e oficerit që u ndërtua mbi supet e UÇK-së. FSK e keni bërë të hapur për çdo të ri dhe të re dhe keni larguar numrin e kufizuar. Në proces të rekrutimit janë edhe 600 ushtar të rinj”, tha Kurti.

“Ne nuk e forcojmë ushtrinë për ta sulmuar dikën por për t’u mbrojtur nga dikush”, tha Kurti, teksa falënderoi familjarët për siç tha shkollimin në frymën e atdhedashurisë.

Komandanti i Qendrës për Studime Universitare të Forcës së Sigurisë së Kosovës, major Albion Ajvazi, tha se kjo është gjenerata e 15-të e oficerëve të diplomuar, për çka u kërkoi që të punojnë me integrimet e besim, raporton EO.

“Sot është padyshim datë e jashtëzakonshme për Forcën e Sigurisë së Kosovë, kur po e diplomojmë gjeneratën e 15-të të oficerëve të FSK-së. Klasa 2023 përgjatë 4 viteve jeni rritur duke shfaqur vetëbesim”.

“Veprimet dhe vendimet që do të merrni, padyshim se do të jetë rol kyç në mbrojtje të integritetit dhe qytetarëve të vendit. Mbajeni në mendje besimin dhe përgjegjësinë që u është dhënë. Udhëhiqni me integritet dhe besim dhe padyshim se do të keni sukses për ata që do t’u rrethojnë”, tha ai.

Publikime te ngjashme