Kurti: KFOR-i pa gjurmë dhe pranga – heshtja nuk i kontribuon as de-eskalimit, as hetimit e as drejtësisë

2 minutes, 21 seconds Read

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është prononcuar për media pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, e cila u mbajt pas zhvillimeve të fundit në vend, ku gjatë ditës së djeshme forcat serbe kanë kidnapuar tre zyrtarë policorë në veri, raporton Gazeta Sinjali.

Kurti gjatë konferencës ka bërë publike edhe informacionet lidhur me vendin se ku ka ndodhur rasti, e për të cilën thotë se është në brendi të territorit të Kosovës.

“Mund të shihni se si vendi ku janë kidnapuar tre policët tanë ndodhet 1 km, 300 metra dhe 670 metra larg prej kufirit, në thellësi të territorit të Kosovës”, tha Kurti.

Ai prezantoi edhe dy fotografi tjera të një rruge të prerë ku tha se “shihet qartazi se nuk kanë mundur këta të kalojnë tutje siç pretendon Serbia se paskan shkuar në Serbi dhe atje qenkan arrestuar”

“Pra, nuk bëhet fjalë për arrestim në Serbi, por bëhet fjalë për kidnapim në Kosovë”, tha Kurti.

Kryeministri tha se KFOR-i dhe Policia kanë parë në atë vend gjurmët e çizmeve dhe pranga, ndërsa u shpreh i habitur që misioni paqeruajtës i NATO-s s’e ka përmendur këtë.

“Aty janë gjetur edhe gjurmët e çizmeve, këpucëve të huaja e në drejtim të Serbisë, por janë gjetur edhe prangat lidhëse plastike. Si është e mundur që ata pretendojnë se janë arrestuar Policia në Serbi, kur lidhëset e plastikës si pranga janë pikërisht në këtë vendin që po themi ne, 1 kilometër, 300 metra dhe 670 metra larg kufirit me Serbinë e në brendi të territorit të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se edhe KFOR-i ka të gjitha informacionet, teksa kritikon se as një ditë pasi ka ndodhur rasti, nuk ka ende deklaratë zyrtare nga KFOR-i.

“Të gjitha këto i ka edhe KFOR-i, pra ne me partnerët tanë i ndajmë informatat, mirëpo heshtja e tyre besoj që nuk i kontribuon as de-eskalimit as hetimit e as drejtësisë. Nuk ka kuptim që për një ngjarje që ka ndodhur në territorin e Kosovës, e dihet që Kosova ka sipërfaqe relativisht të vogël, as të nesërmen të mos ketë kurrfarë deklarata zyrtare. Dhe po, mund të jetë edhe shkelje e rezolutës 1244, por ne përfaqësojmë Republikën e Kosovës. Por është komandanti i KFOR-it, Ristucchia, për çdo deklaratë e përmend nja dy herë rezolutën 1244. Kjo pyetje do duhej t’i bëhej atij, sepse ai në deklaratat e KFOR-it e ka shpeshtuar përmendjen e rezolutës 1244. Ndërsa ne si institucione të Republikës, konsiderojmë kushtetutën e vendit tonë dhe ligjin në fuqi si e drejtë dhe përgjegjësi e jona”, tha ai.

Publikime te ngjashme