Kurti i prerë: “Nuk e kthejmë pas vendimin për dinarin”

1 minute, 8 seconds Read

Kryeministri Albin Kurti në një intervistë dhënë mediumit britanik “Bloomberg” të hënën, ka thënë se i qëndron rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, vendim ky i cili është kritikuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Kurti ka thënë se Qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e Bankës Qendrore, të cilën e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj, të hyrë në fuqi më 1 shkurt.

Ai ka shtuar se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.

“Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese – nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, duke thënë se nevojitet një marrëveshje e nënshkruar me Serbinë sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas tij, tensionet e deritanishme nuk do të kishin ekzistuar po që se do të kishte njohje de facto dhe de jure të të gjithë rajonit nga Serbia, përfshirë edhe Bosnje e Hercegovinën.

Gjatë kësaj interviste të shkurtë, Kurti ka thënë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor.

Publikime te ngjashme