Kryeministri Albin Kurti e ka ngushëlluar Akil Gjakovën, pasi nuk arriti që t’i siguronte Kosovës medaljen e dytë olimpike.
Akil Gjakova ishte shumë afër që të fitonte medaljen e argjendtë, por që u mposht në gjysmëfinale, ndërsa në repesazh u mposht nga një xhudist japonez për të bronztën.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook, Kurti falënderoi Gjakovën për emocionet e dhuruara:
Akil Gjakova e humbi medaljen e bronztë për pak, e atë të argjendtë edhe për më pak. Mbase kjo është pasojë direkte e shpirtit të tij luftarak dhe dëshirës së madhe për fitore.
Ndeshjen e parë e zhvilloi krah për krah, sepse njëkohësisht, me motrën e tij Norën. Përderisa Nora e përmbylli rrugëtimin e saj në Paris 2024, ai fitoi dhe me vazhdoi garat tutje duke mundur dy herë kundërshtarët të cilët ndodhen më lart se ai në ranglistën botërore.
U eliminua në gjysëmfinale nga numri 1 në botë, pasi që të gjithëve që ishim prezent në Champ-de-Mars Arena na u duk se fitoi me Ippon, por jo edhe referit në tatami. E në betejën e tij për medalje të bronztë, Thembra e Akilit ishte ajo pjesë e sekondës kur një lëvizje fort e qëlluar nuk përmbyllet plotësisht.
Përkundër kësaj, Akil dhe Nora, vëlla e motër, përgjithmonë jeni kampionët tanë Olimpik.
Faleminderit për emocionet që na keni dhënë dhe për përkushtimin tuaj për vendin tonë./Telegrafi