Kremlini i dha 17.5 miliardë euro, mediat ruse: Prigozhin “u çmend” nga paratë

1 minute, 39 seconds Read

Shumat e mëdha të parave të përfituara në vitet e fundit kanë çmendur Yevgeny Prigozhin të grupit Wagner. Këtë e ka thënë opinionisti televiziv Dmitry Kiselev, në programin e tij javor në televizionin publik të Rusisë.

“Mendonte se mund të sfidonte i vetëm ministrin e mbrojtjes, shtetin, madje edhe presidentin”, u shpreh ai duke shtuar se grupi Wagner ka përfituar nga shteti rus mbi 17.5 miliardë euro, përmes kontratave qeveritare dhe shërbimeve të ofruara nga kateringu Concord, në zotërim të ish kuzhinierit të Putinit.

Ndërkohë, Wagner ka pezulluar për një muaj rekrutimin e mercenarëve të rinj për shkak të zhvillimeve të fundit, përfshirë transferimin e grupit në Bjellorusi. Kjo vjen pasi Prigozhin ndërmori një rebelim të armatosur kundër lidershipit politik në qershor, për të marshuar në kërkim të mbijetesës, siç tha ai.

Themeluesi i Wagner hoqi dorë nga kryengritja dhe pranoi zgjidhjen që përfshinte largimin e tij në ekzil për në Bjellorusi, ku presidenti Lukashenko e ka angazhuar të trajnojë ushtrinë.

Pavarësisht largimit të tij, zëri radikal nuk është shuar në Moskë.

Kërcënimi i Medvedev: Apokalipsi bërthamor është shumë i mundshëm
“Do të theksoj diçka që politikanët nuk dëshirojnë ta pranojnë: një apokalips bërthamor jo vetëm që është i mundur, por ka edhe shumë gjasa që të ndodhë”.

Kështu shkruan në Telegram numri dy i këshillit të sigurisë të Rusisë, Dmitry Medvedev. Sipas tij arsyet janë dy: kundërshtarët kanë vendosur që të mposhtin fuqinë më të madhe bërthamore, Rusinë, dhe arsyeja e dytë është, sipas tij, që armët nukleare janë përdorur në të kaluarën nga dikush dhe prandaj lëshimi i tyre nuk është një tabu.

Ndër të tjera, Medvedev kërkon që Moska të ndërpresë raportet me Finlandën apo vendet baltike, duke pretenduar se janë shtete të krijuara nga Lenini.

Publikime te ngjashme