KPM pas pezullimit të certifikatës së Klan Kosovës: Do ta trajtojmë në mbledhjen e 16 qershorit

1 minute, 11 seconds Read

Komisioni i Pavarur i Mediave ka njoftuar se rasti i pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës nga ana e MINT, do të trajtohet të premten e 16 qershorit.

“Komisioni i Pavarur i Mediave është vënë në dijeni se sot Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve ia ka pezulluar çertifikatën e biznesit shoqërisë tregtare “Klan Kosova sh.p.k”. Komisioni është duke e analizuar rastin konform Ligjit për KPM-në dhe rregulloreve që kanë të bëjnë me dhënien e licencës dhe vlerësimin e aplikacioneve për licencë. Rasti do të trajtohet në mbledhjen e KPM-së të premten më 16 qershor 2023”, thuhet në njoftim.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka iniciuar sot kallëzim penal në Departamentin e Krimeve të Rënda në kuadër të Policisë së Republikës së Kosovës, ndaj Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, zyrtarëve përgjegjës nga Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve dhe personave përgjegjës të kompanisë, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

“Mbështetur në aktet ligjore, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve e Kosovës, gjithashtu ka marrë vendim që të pezulloj certifikatën e biznesit të Shoqërisë Tregtare “KLAN KOSOVA” SHPK, deri në një vendim tjetër”, thuhet në njoftim.

Publikime te ngjashme