Kosova aplikon zyrtarisht për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

1 minute, 49 seconds Read

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) bashkë me Qeverinë e Kosovës kanë dërguar zyrtarisht aplikimin për organizimin e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare (LM) 2030.

Siç njofton KOK, Kosova tani është kandidate zyrtare për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, të cilat vlerësohen si një prej ngjarjeve më të mëdha shumë-sportive në botë.

Konfirmimi u bë nga kryeministri Albi Kurti, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, në konferencën e organizuar në Kryeministri.

Kurti e quajti moment historik aplikimin dhe u shpreh optimist për marrjen e kandidaturës.

“Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë do të shënojë moment historik të zhvillimit të sportit vendor dhe jo vetëm, konsideruar se Lojërat Mesdhetare të vetmet të organizuara në rajonin e Ballkanit, janë ato në vitin 1979 në Split të Kroacisë. Përkundër që Kosova është e rrethuar me dhe, dhe me male, për të gjitha sportet të cilat kërkojnë qasje në det, jemi pajtuar me Shqipërinë se do të organizohen në bregdetin shqiptar”, tha mes tjerash kryeministri Kurti.

Krasniqi, nga ana e tij, falënderoi qeverinë për mbështetjen e madhe që i dhanë KOK-ut në aplikim dhe organizimin e LM 2030.

“Këto lojëra do të ishin platformë ideale për përshpejtimin e proceseve të zhvillimit të sportit në Kosovë, duke nisur nga infrastruktura sportive, fuqizimi i burimeve njerëzore, vullnetarizimi dhe promovimi i Kosovës përmes sportit në gjithë botën”, tha Krasniqi.

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani vlerësoi lart aplikimin, duke thënë se nëse kandidaturën e fiton Kosova kjo do të ndikojë jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e sportit në Kosovë.

Kosova në LM ka dhjetë medalje në vetëm dy pjesëmarrje, duke fituar nëntë medalje me xhudon dhe një me boksin.

Konfirmimi i mikpritësit të LM 2030 do të bëhet më 8 shtator 2023, në mbledhjen e Asamblesë së Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

Lojërat Mesdhetare kanë gjithsej 26 anëtarë të tri kontenteve të ndryshme./Kosova Post

Publikime te ngjashme