Kontrollet në MEK, Rrumbullaku: Revolta e muxhahedinëve e dhunshme, kur zbuluam 17 godina me servera!

4 minutes, 54 seconds Read

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi dhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku në një konferencë për mediat sqaruan ditën e sotme se çfarë ndodhi brenda kampit të MEK në Manzë të Durrësit, pas revoltës së anëtarëve te opozitës iraniane të cilët kundërshtuan kontrollin që ushtruan efektivët e policisë me urdhër të SPAK.

Ministri bëri të qartë, se anëtarët e opozitës iraniane kanë shkelur marrëveshjen që kanë nënshkruar me qeverinë shqiptare në vitin 2014, sipas së cilës në vendin tonë do strehohen vetëm për qëllime humanitare. Ai thekson se anëtarëve të MEK iu ndalohet të kryhen çdo lloj aktiviteti tjetër politik dhe bën të qartë që SPAK ka pasur të dhëna dhe indice se brenda kampit ishte ngritur një bazë severash, dhe me vendim të gjykatës sot është ushtruar kontrolli, ku kanë marrë pjesë rreth 1 mijë efektivë.

“SPAK kur ka pasur indice për këtë, i është drejtuar gjykatës, për të bërë një kontroll brenda kampit, që është territor shqiptar, s’ka asnjë dallim me pjesën tjetër, dhe gjykata ka marrë një vendim brenda ligjeve. Këtu fillon edhe veprimi i policisë, që lidhet direkt me zbatimin e vendimit të gjykatës për kontroll në gjithë territorin ku strehohen anëtarët e MEK për të bërë sekuestrimin e pajisjeve që dyshohen”, tha Ministri.

I prerë u tregua Çuçi teksa tha se një vendim gjykate nuk mund të kundërshtohet nga askush, dhe se anëtarët e MEK duhet të zbatojnë ligjet e shtetit shqiptar, pasi ai territor nuk është pronë e tyre, por i Shqipërisë.

“SPAK kur ka pasur indice për këtë, i është drejtuar gjykatës, për të bërë një kontroll brenda kampit, që është territor shqiptar, s’ka asnjë dallim me pjesën tjetër, dhe gjykata ka marrë një vendim brenda ligjeve. Askush nuk ka të drejtë të kundërshtojë vendimet e gjykatës, janë vetëm për t’u zbatuar”, tha Çuçi.
Kryepolici Rrumbullaku shpjegoi fillimisht se drejtuesit e MEK kanë pranuar të ushtrohet kontrolli nga efektivët e policisë, ndërsa nuk kanë pranuar të lexojnë urdhrin e gjykatës. Gjatë kontrollit të ushtruar, Rrumbullaku thekson se policët arritën të zbulojnë në 17 godina të kampit baza serverësh. Në tërësinë e veprimeve të kryera nga policia janë sekuestruar 96 njësi kompjuterike, 49 laptopë, dy tableta dhe materiale shkresore.

Pikërisht në këtë moment, Rrumbullaku thekson se ka nisur revolta e dhunshme e muxhahedinëve, për të cilët thotë se disa tentuan të djegin edhe serverët e dokumente të tjera, që janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Kjo vërtetohet edhe nga pamjet e filmuara me dron nga policia gjatë operacionit, ku anëtarë të kampit shihen me qese të zeza në duar dhe tentojnë të djegin shkresa.

“Ishte revoltë e dhunshme. Bllokuan mjetet policore. Kemi kërkuar leje nga prokuroria për të vënë në dispozicion të gazetarëve pamjet. Do i shikoni me sytë tuaj. Policia nuk ka ushtruar nuk ka ushtruar dhunë. Vetëm ka përdorur spraj individual dhe pjesa tjetër ka qenë spostimi dhe hapja e rrugës për mjetet policore”, tha Rrumbullaku.
Rrumbullaku dhe Çuçi theksuan se efektivët e policisë nuk prekur asnjë person me dorë, ndërsa dënuan ashpër dhunën e ushtruar nga muxhahedinët kundrejt policëve. Rrumbullaku thotë se policët kanë përdorur vetëm spraj, pasi anëtarët e MEK kanë bllokuar lëvizjen e makinave dhe forcave policore, gjë që shihet edhe nga pamjet e publikuara ku anëtarë të Kampit MEK janë shtrirë para mjeteve të policisë. Kreu i Policisë së Shtetit tha se 15 efektivë mbetën të lënduar, si edhe 21 anëtarë të kampit MEK.

Për personin që ka vdekur brenda kampit, për të cilin muxhahedinët pretendojnë se e ka vrarë policia, Çuçi hedh poshtë çdo pretendim dhe garanton se nuk është aspak e vërtetë që është shkaktuar nga policët, ndërsa thotë se po presin edhe ekspertizën. Report Tv, përmes burimeve ka mësuar se shkak i vdekjes u bë një atak në zemër.

“E paimagjinueshme dhuna dhe reagimi që kanë bërë ndaj Policisë së Shtetit. Për personin që ka vdekur në kamp, iu garantoj që vdekja nuk është shkaktuar nga asnjë veprim i forcave të policisë. Ai është një burrë i moshuar, në mos gaboj 76, ose 79 vjeç. Vdekjet brenda kampit ndodhin rëndom sepse është një komunitet që ka krijuar jetën aty dhe është fenomen i natyrshëm”, theksoi Çuçi.
Ministri hodhi poshtë aludimet e opozitës iraniane se kontrolli u ushtrua me urdhër të Iranit, duke thënë se këto akuza për konsum politik. Ndërsa sqaroi se përkundër zhvillimeve te sotme, marrëveshje për strehimin do të vijojë. I pyetur nëse u koordinuan me ndërkombëtarët për kontrollin e sotëm, Çuçi tha prerë se s’a koordinim për urdhër të Gjykatës së shtetit shqiptar, pasi ai vetëm zbatohet.

Në fund, kryepolici Rrumbullaku sqaroi se të gjithë anëtarët e Mek që kanë ushtruar dhunë ndaj policëve janë identifikuar dhe se do të zbatohen edhe urdhër ndalimet për ta, por edhe për drejtuesit e kampit MEK që nuk bashkëpunuan me policinë për të zbatuar urdhrin e gjykatës. Përveç procedimit të SPAK prokuroria e Durrësit ka nisur një hetim lidhur me atë çfarë ndodhi sot brenda kampit të muxhahedinëve në Manzë të Durrësit.

Publikime te ngjashme