Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndërmarrë një operacion të suksesshëm në Pikën Kufitare të Vërmicës, me objektiv parandalimin e kontrabandës me mallra.
Gjatë këtij operacioni u zbulua dhe u bllokua një tentativë për të kontrabanduar mallra të dyshuara si të falsifikuara, konkretisht veshje sportive të markave të njohura.
Pas identifikimit të rastit, Hetuesia Doganore, në bashkërendim të plotë me Prokurorinë përkatëse, ka nisur menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, raporton lajmishqip.
Nga hetimet e zhvilluara u siguruan prova që dëshmojnë se zyrtari doganor ka shpërdoruar detyrën zyrtare, duke mos kryer kontrollet e detyrueshme dhe duke lejuar hyrjen e mallrave pa paguar taksat doganore. Rrjedhimisht, me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe pas intervistimit të të dyshuarve, është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për dy persona:
- Zyrtari doganor, i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”,
- Shoferi i mjetit transportues, i dyshuar për veprat penale “Kontrabandim me mallra” dhe “Shmangie nga pagesa e taksave doganore”.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për forcimin e ligjit, mbrojtjen e tregut dhe integritetit institucional, duke siguruar se do të ndjekë penalisht të gjitha rastet e abuzimit me detyrën dhe aktivitetet e tjera të paligjshme që dëmtojnë ekonominë e vendit, raporton lajmishqip.