Konjufca për Asociacionin: Në asnjë rrethanë s’pranohen modele që rrezikojnë shtetin e Kosovës

1 minute, 7 seconds Read

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se Kosova assesi nuk pranon modele të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës.

Ai një gjë të tillë citohet ta ketë thënë përgjatë takimit me Këshillin e Ambasadorëve Amerikanë, të kryesuar nga Timothy Chorba, kryetar i këtij këshilli.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është jashtëzakonisht e përkushtuar ndaj dialogut dhe gjetjes së zgjidhjes më të mirë për qytetarët e të dyja shteteve, por assesi, në asnjë rrethanë nuk do të pranohen modele që rrezikojnë shtetin dhe lirinë e qytetarëve të Kosovës”, citohet të ketë thënë Konjufca.

“Referuar ndihmës që Kosova ka përfituar ndër vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet demokratike evropiane, kryetari Konjufca u shpreh se Kosova është projekti më i rëndësishëm i faktorit ndërkombëtar i fundshekullit 20-të, i cili rezultoi me ndaljen e gjenocidit dhe trasoi rrugën drejt pavarësisë së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në njoftim të Kuvendit.

Në anën tjetër, anëtarët e Këshillit të Ambasadorëve ritheksuan vazhdimësinë e mbështetjes së popullit dhe shtetit amerikan për Kosovën dhe aspiratat euro-atlantike të saj.

Publikime te ngjashme