Një humanist që ndihmon familjarët, fqinjët dhe mbarë njerëzit që e rrethojnë dhe këtë e bën pa bujë e pa krekosje. Është ky njeriu zemërmirë e zemërbardhë, Nexhmidin Nijaziu nga fshati Bresanë i Opojës i cili sot kremton ditëlindjen e tij të 70-të dhe zgjodha ta kem personazh të këtij shkrimi.
Shkruan: Demir Reshiti
Nexhmidin Nijaziu
Të jesh humanist do të thotë t’i duash njerëzit, t’ua dëshirosh të mirën dhe lumturinë, të kesh një zemër të madhe në të cilën ka vend për të gjithë. Nuk ka gjë më të bukur se sa të jesh zemërmirë e zemërbardhë. Një zemër e tillë kudo që ndodhet mendon t’u falë gëzim dhe lumturi të tjerëve. Një zemër e tillë mendon si ta ndihmojë një nevojtar, një të moshuar, një fëmijë jetim… Një humanist që ndihmon familjarët, fqinjët dhe mbarë njerëzit që e rrethojnë dhe këtë e bën pa bujë e pa krekosje. Është ky njeriu zemërmirë e zemërbardhë, Nexhmidin Nijaziu nga fshati Bresanë i Opojës i cili sot kremton ditëlindjen e tij 70-të dhe zgjodha ta kem personazh të këtij shkrimi.
Nexhmidin Nijaziu ka lindur më 21 janar 1955. Është i biri i Nijaziut dhe Xhyzerije (Hazër) Shyqeriut nga fshati Bresanë. Është martuar shumë i ri, ende pa i mbushur 15 vjet, me Miradije Mahmutin nga fshati Blaç.
Ndonëse isha fëmijë shtatëvjeçar, e mbaj mend shumë mirë dasmën e tij të veçantë. Janë dy momente që i kam fokusuar nga viti i largët 1970: darka që ia patëm dërguar nuses në Blaç (gjë që nuk ndodhte në raste tjera, sidomos kur nusja ishte nga një fshat tjetër) dhe pëllumbat e bardhë me këmbë karakteristike plot pupla të cilat i kishte sjellë babai i tij Nijaziu nga Beogradi dhe i lëshoi të fluturojnë në momentin që krushqit sollën nusen në shtëpi!
Nga martesa, çiftit Nexhmidin dhe Miradije u linden dy fëmijë, Merita (1972) dhe Izeti (1976). Merita ka dy fëmijë, vajzën Janeta, 29 vjeçe dhe djalin Jenis, 26 vjet, që te dy të martuar, ndërsa Izeti ka tre fëmijë, dy vajza, Edinen 24 vjeçe dhe Duresen 22 vjeçe si dhe djalin Jasmin,14 vjeçar. Nexhmidini tashmë është edhe stërgjysh i një stërnipi dhe një stërmbese (fëmijë të vajzës së Meritës)!
Me familje me rastin e ditëlindjes
Nexhmidini pas përfundimit të shkollës fillore, si pjesa më e madhe e rinisë së asaj kohe, ia mësynë rrugës së kurbetit. Kurbetin e nisi në vitin 1976 në Beograd ku i punonte edhe babai (në Radiotelevizionin e Beogradit) ndërsa ky punonte në një pikë të shitjes së karburanteve. Për dallim nga kurbetçinjtë tjerë, Nexhmidini ishte më me fat sepse kishte banesën e babait në njërën nga lagjet më të mira në qendër të Beogradit dhe bënte jetë komode. E mbaj mend që shumë i ri madje ende pa u pajisur me patentë shofer, pati blerë makinë që për atë kohë rrallëkush gëzonte këtë privilegj.
Që nga fëmijëria ishte shumë kërkues dhe kishte aftësi të lindur për të ecur në hap me kohën, madje edhe para kohës! Ndonëse i kishte kushtet për ta bërë një jetë komode në Beograd, Nexhmidini ia mësynë një kurbeti tjetër, kësaj radhe më larg, në Zvicër (1980). Fillimisht në Hausen am Albis (kantoni Zürich) e prej aty kalon në qytetin Zug ku jetoi e punoi rreth 18 vite. Atëbotë thoshte se do të punojë në Zvicër një kohë të shkurtër sa t’i fitojë ca lekë për ta blerë një makinë më të mirë, por shkoi dhe e vazhdoi për shumë vite siç u kishte ndodhur edhe pjesës dërmuese të bashkatdhetarëve tanë që patën shkuar për punë “të përkohshme” në Zvicër, Gjermani e gjithandej shteteve të Evropës Perëndimore.
Pas disa viteve e merr në Zvicër edhe bashkëshorten dhe fëmijët dhe qëndron atje deri në vitin 2000, kur vendosi të kthehet në vendlindje me bashkëshorten ndërkohë që fëmijët që tashmë i kishte martuar dhe kishin krijuar familjet e tyre, vazhdojnë të jetojnë në shtetin helvetik.
Për dallim nga “pensionistët” tjerë të cilët kur kthehen nga kurbeti e bëjnë një jetë gati pasive, Nexhmidini mbase edhe për faktin që ishte pensionuar para kohe, dhe duke qenë për nga natyra shumë kërkues dhe i shëndetshëm, tërë energjinë dhe vullnetin e tij vendos ta përdor në të mirë të familjes dhe komunitetit. Në një parcelë toke sipër fshatit ka ngritur një pemishte model në të cilën kultivon mjedra, boronica dhe disa lloje tjera pemësh e perimesh.
Në pemishte
Në vitin 2014 bashkë me bashkëshorten e tij Nexhmidini udhëton për në Mekken e shenjtë dhe merr titullin haxhi.
Me bashkëshorten në haxh
Nuk ka aksion që është ndërmarrë në lagje e në fshat, e edhe me gjerë e të mos ishte ai nismëtar ose njëri nga më të angazhuarit duke mos kursyer as mjetet financiare nga pensioni i tij por edhe nga i biri Izeti që gjithashtu po e ndjek rrugën e babait!
Dallohet angazhimi i tij në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Xhamisë së re në Bresanë ku është i zgjedhur edhe si anëtar i Këshillit. Në çdo aksion që është ndërmarrë për ndërtimin, meremetimin por edhe mirëmbajtjen e xhamisë, haxhi Nexha ishte ndër iniciatorët dhe organizatorët që nga fillimi e deri në përmbyllje të suksesshme të aksionit.
Në mesin e anëtarëve të Këshillit të xhamisë
Lulet e bukura shumëngjyrëshe dhe pemët dekorative që e kanë shndërruar oborrin e xhamisë në një oazë me karakteristika parajse, janë mbjellë që të gjitha nga duart e arta të Nexhmidinit. Secila lule e secila pemë kanë histori në vete për të cilat nuk i vjen mërzi të të shpjegojë në detaje se kur është mbjellë, ku është marrë fidani, etj.
Në oborrin e xhamisë mes luleve që i ka mbjellë vetë
Drunj të ndryshëm dekorativ që haxhi Nexha i ka mbëltuar me duart e tij të arta
Duke shpjeguar për drunjtë dekorativ në oborrin e xhamisë
Edhe në lagjen Duraj, haxhi Nexhmidini shquhet për nismëtar dhe bartës i aksioneve të ndryshme në të mirë të komunitetit. Duhet përmendur këtu angazhimin e tij në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e ujësjellësit, rrugës së lagjes etj. Është gjithmonë i gatshëm t’ju shërbejë fqinjëve dhe t’ju ofroj ndihmë sa herë që kërkojnë.
Në ceremoninë e zbulimit të mbishkrimit të rrugës Vedat Reshiti
Haxhi Nexhmidini dallohet edhe për humanizëm. Është shumë i afërt me të gjitha gjeneratat, që nga më të vjetrit deri te fëmijët. Duke qenë se fëmijët, nipërit, mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat e tij po i rritën në kurbet dhe si çdo gjysh e stërgjysh po e ndien mungesën e tyre, Nexhmidini këtë mungesë përpiqet ta kompensojë duke i afruar fëmijët e lagjes të cilët shumë herë i qeras me ëmbëlsira e fruta ndërsa tash së fundi i kishte dërguar në bjeshkë në një shëtitje të pa harruar. Njëmbëdhjetë fëmijë të lagjes i kishte futur në makinën e tij dhe ia kishte mësyrë bjeshkës. Iu luta të mi dërgojë disa fotografi dhe m’u bë zemra mal kur pashë fytyrat e gëzuara dhe buzëqeshjen e padjallëzuar të atyre fëmijëve. Kjo zaten më shtyu që ta bëja këtë shkrim sepse në një formë ndihesha borxhli ndaj këtij njeriu me zemër të bardhë.
Në bjeshkë me fëmijët e lagjes
Fytyra të buzëqeshura të fëmijëve të lagjes
Me autorin e shkrimit