Joseph: Serbia, problemi më i madh në rajon – njohja e Kosovës nga pesëshja e BE-së, thelbësore

1 minute, 42 seconds Read

Edward Joseph, ligjërues universitar dhe njohës i rrethanave politike në rajon, në një intervistë për platformën hungareze “The Long Brief” të martën, tha se përderisa Serbia mbetet problemi më i madh në Ballkanin Perëndimor, njohja e Kosovës nga pesëshja e Bashkimit Evropian (BE) – Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro – mbetet çështje thelbësore.

“Njohja uniforme e Kosovës është esenciale. Problemi është se pesë vende të BE-së, katër prej të cilave janë në NATO, nuk e njohin Kosovën. Për shkak të kësaj, as Serbia nuk e njeh. Kjo lojë kërkon pjesëmarrjen e Serbisë sepse ka pakica serbe në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Serbia mund ta luajë këtë lojë me pakicën e vet”, theksoi Joseph.

Megjithatë, ai përmendi sërish se Ukraina është në pozicionin më të mirë aktualisht për të afirmuar rendin perëndimor duke njohur Kosovën dhe të çojë përpara përpjekjet diplomatike rreth zgjidhjes së kontestit mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa një zgjidhje tjetër mund të jetë edhe nëse Serbia ndryshon qëndrim dhe rreshtohet krahas shteteve aleate të NATO-s.

“Serbia përdor pakicat për të arritur qëllimet. Më shumë është një problem politik. Por nëse ata ndryshojnë qëndrimin e tyre, qoftë edhe vetëm ndaj NATO-s, është e mundur të zgjidhet. Në një artikull tjetër, unë shpjegoj se nëse Ukraina e njeh Kosovën, atëherë të tjerët do të duhet të ndjekin shembullin”, kujtoi ndër të tjera njohësi amerikan i çështjeve rajonale.

Joseph shtoi se BE-ja është pothuajse 100 për qind përgjegjëse për problemet në Ballkanin Perëndimor, megjithëse blloku është përmirësuar kohët e fundit. Megjithatë, sipas ekspertit amerikan,  vetëm BE-ja nuk është e aftë të ruajë paqen dhe sigurinë në rajon. Prandaj, duhet përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) që është udhëheqëse e proceseve.

Publikime te ngjashme