Joseph: Pranimi i asociacionit ia humbë Kosovës mundësinë e vetme për njohje nga Serbia

3 minutes, 29 seconds Read

Nesër (e hënë) në Bruksel takohet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në atë që po konsiderohet si mundësi e zyrtarizimit të propozimit evropian.

Lidhur me këtë plan ka folur profesori amerikan Edward P. Joseph.

Joseph ka një argument mjaft interesant, ku sipas tij Ukraina mund t’i çelë përnjëmend Kosovës dyert e Evropës, duke e njohur Pavarësinë e vendit tonë.

Një qëndrim të tillë, ai e ka elaboruar edhe në Parlamentin e Britanisë së Madhe më 31 janar. Sipas tij, njohja nga Ukraina nuk do të ishte thjesht njohje nga një shtet tjetër. “Do të ishte hapja e rrugës për një qëndrim uniform nga e gjithë Evropa”, ka thënë ai.

Por, sipas tij mund të jetë vonë në rast se propozimi evropian (franko-gjerman) pranohet, atëherë Serbia do të afrohej edhe më shumë me Rusinë.

Joseph i është referuar propozimit franko-gjerman si “propozim i përkohshëm” që mund ta lë potencialisht Kosovën pa elementin kryesor të kushtëzimit e pushtetit të saj në negociatat me Serbinë: Asociacionin.

“… ShBA-ja dhe BE-ja po i kërkojnë Kosovës që ta themelojë Asociacionin paraprakisht, pa garanci se çështja e statusit të saj do të zgjidhet. Duke e themeluar Asociacionin tash, Kosova do të hiqte dorë nga e vetmja pikë e kushtëzimit që ka në negociatat tepër të pabarabarta me Beogradin.”

Sipas profesorit amerikan që ka punuar dhe e njeh mirë rastin e Kosovës, propozimi në fjalë do ta përballte ShBA-në dhe BE-në me të njëjtin problem me të cilin përballen edhe sot: shtetet mos-njohëse të NATO-s dhe BE-së.

“Në thelb, diplomacia ShBA-BE pengohet nga e njëjta pengesë që e ka zgjatur çështjen e Kosovës për pesëmbëdhjetë vjet: refuzimi kokëfortë i shteteve mos-njohëse për ta ndryshuar qëndrimin e tyre”, ka argumentuar ai.

Sipas tij, një gjë e tillë nuk pritet të ndryshojë duke e lejuar kësisoj Serbinë që të vazhdojë të ulet në “dy karrige”.

Psese Ukraina?

Është evidente se Ukraina që po përballet tash e një vit me agresionin rus, edhe për shkak të rezistencës frymëzuese që ka treguar, ka arritur që të përftojë një autoritet të qartë moral. Por, eksperti Joseph ka disa arsye gjeopolitike (natyrisht, e përmend edhe këtë autoritet moral të Kievit si arsye të parë) pse kjo njohje për Kosovën do të ishte më domethënësja.

Sipas tij, njohja nga Ukraina do të ndryshonte pozicionin e secilit prej shteteve mosnjohëse në BE dhe në NATO karshi Kosovën për shkak të disa rrethanave të reja që do t’i krijonte, përcjell Nacionale.

“Njohja nga Ukraina, do t’i jepte Athinës (Greqisë) kontekstin që zyrtarëve grekë iu vyen për ta njohur Kosovën… Athinës i duhet stabiliteti në Ballkan, dhe ka interes në parandalimin e ndarjes së Kosovës, që do të hapte derën për një “Serbi të Madhe”, “Shqipëri të Madhe” dhe ndikim edhe më të madh turk në Ballkan”, ka thënë ai.

Tjetër?

Kjo njohje e Greqisë që do të vinte pas asaj të Ukrainës, do të ishte shtyra e nevojshme për Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjës që ta “riekzaminonin ligjshmërinë dhe racionalitetin e pozicionit të tyre ndaj Kosovës”.

Spanja, ka argumentuar ai, do të ishte në pozicionin kur duhej të peshonte nëse sovraniteti i saj do të kërcënohej më shumë nga njohja apo mos-njohja e Kosovës.

“Duke afirmuar pavarësinë e Kosovës dhe vlerat perëndimore që çuan në të, Kievi do të konfrontonte shtetet mosnjohëse me një zgjedhje binare: ose qëndroni me Zelenskiyn mbi Kosovën, ose qëndroni me Putinin”, ka thënë profesori amerikan.

Por, për një “zgjidhje” të tillë mund të jetë pakëz vonë marrë parasysh që kryeministri Kurti udhëton për në Bruksel për t’i dhënë pranimin zyrtar propozimit evropian (franko-gjerman) për normalizimin e marrëdhënieve.

Publikime te ngjashme