Iu hoq guri përkujtimor në Korenicë, cila është historia e nënës Pashke Marku

2 minutes, 9 seconds Read

Historia e Pashkë Markut nuk është e panjohur në Kosovë. Më 27 prill 1999, në masakrën e Mejës ku ranë 374 martirë, ishin edhe dy djemtë e Pashkës, Gjovalini dhe Milani.

Ndonëse dihej se ishin vrarë në këtë masakër, trupat e të dyve u cilësuan si të zhdukur deri më vitin 2003 kur trupat e tyre u kthyen dhe u rivarrosën, shkruan Gazeta Express.

Për katër vite nëna Pashkë priti me shpresë për kthimin të gjallë të bijve të saj. Ajo madje kishte pohuar se nuk do të jetonte më nëse djemtë e saj nuk ktheheshin të gjallë.

Ashtu edhe ndodhi. Me 24 maj 2003 trupat e Gjovalinit dhe Milanit veçse ishin kthyer dhe tash po rivarroseshin. E shpresa e nënës së tyre se ata do t’i ktheheshin të gjallë mori fund.

Guri përkujtimor i Pashkë Markut, nënës që dogji veten pas kthimit dhe varrimit të mbetjeve të bijve të saj të vrarë dhe të djegur nga kriminelët serbë, është hequr pasditen e djeshme me bager nga pronari i tokës ku ndodhej.

Kjo është bëtë e ditur profesori universitar dhe shkrimtari, Ag Apolloni.

Ai ka kërkuar nga Qeveria dhe qytetarët që ta mbrojnë këtë simbol, duke e kthyer gurin aty ku ka qenë, në atë arë të Korenicës në Gjakovë.

“Ekzistojnë dyshime se heqja e këtij guri është bërë për arsye fetare (sepse pronari është frikësuar se aty mund të ngritet një kishë, pavarësisht se familja e Pashkës e ka siguruar që nuk do të ngritet asnjë kishë aty), dhe për arsye politike (se s’i paska pëlqy që kryeministri e paska shkelë arën e tij, kur ka bërë homazh te guri. Ai gur nuk është objekt fetar, as nuk është gurthemel kishe, as që ka të bëjë fare me politikë. Çdo kryeministër në të ardhmen duhet të bëjë homazh tek ai gur. Ai gur është simbol i një tragjedie kombëtare. Ai simbolizon vuajtjen e një nëne shqiptare dhe, njëkohësisht, vuajtjen e një populli, pjesë e të cilit është edhe Hasani që bëri një gjest fisnik kur e lejoi vendosjen e gurit në arën e tij, dhe një gjest të pahijshëm kur e hoqi. Hasan, ne shqiptarët (katolikë dhe muslimanë) ishim viktima, dhe lufta nuk u bë për arsye fetare. Ai gur është pjesë e kujtesës sonë kolektive kombëtare. Ktheje gurin në vend të vet!”, ka shkruar Apolloni.

Publikime te ngjashme