Ish-diplomati amerikan: Ngjarjet e fundit i kanë rrënjët në Serbi, por Prishtina është përgjegjëse për krizën aktuale

4 minutes, 14 seconds Read

Ish-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Daniel Fried, thotë se situata e krijuar në veri të Kosovës i ka rrënjët tek mospranimi nga Serbia i realitetit të pakthyeshëm të pavarësisë së Kosovës.

Megjithatë, ai theksoi se përgjegjësia për vendimarrjen që çoi në incidentet e fundit rëndon mbi Kosovën.

Fried, një diplomat karriere me një përvojë prej disa dekadash në Departamentin e Shtetit thotë se Uashingtoni ka të drejt të jetë i zemëruar me qeverinë e Kosovës dhe se qëndrimet e fundit të Shteteve të Bashkuara dëshmojnë për thyerjen më të madhe në raportet e saj me Kosovën.

Në intervistën nga shërbimi në gjuhën serbe i Zërit të Amerikës, ish-diplomati amerikan thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta pranojë se ka gabuar dhe të tërhiqet.

“Marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës kanë qenë në një gjendje jo normale për shumë vite dhe përgjegjësia për këtë, në përgjithësi, ka rënë mbi Serbinë sepse ajo nuk ka pranuar ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ata nuk do ta rimarrin Kosovën. Kjo çështje ka mbaruar, pjesërisht për shkak të viteve të nacionalizmit shkatërrimtar serb, duke përfshirë shtypjen e shqiptarëve në Kosovë, që çoi në ndërhyrjen e NATO-s, të cilën ne nuk e donim.

Në të njëjtën kohë, kriza e tanishme duket se është shkaktuar nga gabimet e qeverisë së Kosovës. Pra, në tërësi, Serbia mund të ketë përgjegjësi, për këtë gjendje të çuditshme, por kriza e tanishme është diçka që ka shkaktuar, do të thosha, zemërimin e Shteteve të Bashkuara. Nuk e përdor lehtë këtë fjalë, por lexova deklaratën e plotë të zotit Hovenier, ambasadorit amerikan në Kosovë, në konferencën me gazetarët. Dhe që nga pavarësia e Kosovës në vitin 2008, nuk mbaj mend që një përfaqësues i qeverisë amerikane të ketë qenë aq i zemëruar, sa dukej ai. Mendoj se qeveria e Kosovës me siguri e ka marrë vendimin në rrethana të vështira, por vendimi e përkeqësoi shumë më tepër situatën, që edhe më parë ishte e komplikuar. Kjo ka rezultuar në përkeqësimin e fortë të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Kosovën. Dhe kjo nuk i shërben askujt. Është për të ardhur keq.

Nuk mendoj se protestat dhe vënia në gatishmëri e ushtrisë serbe janë të dobishme. Por vura re se, në konferencën për mediat, ambasadorit Hovenier iu dha mundësia, që të ngarkonte me përgjegjësi të dyja palët, dhe ai nuk e bëri këtë.

Ai u përqendrua tek përgjegjësia e qeverisë së Kosovës. Kjo më la përshtypjen, se ishte një shenjë se Shtetet e Bashkuara janë seriozisht të zemëruara me vendimet e qeverisë së Kosovës. Dhe natyrisht KFOR-i duhej të ndërhynte. Forcat e KFOR-it pësuan lëndime serioze. Nuk e krijoi qeveria e Kosovës këtë situatë. Kjo situatë në përgjithësi është kryesisht, por jo plotësisht, përgjegjësi e serbëve, të cilët duket se ende fantazojnë se Kosova mund t’i kthehet Serbisë, gjë që nuk do të ndodhë kurrë. Nuk kishte asnjë arsye që qeveria të merrte një vendim që do të përkeqësonte situatën. Pra, është një kohë e vështirë si në terren ashtu edhe në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Kosovën, dhe e gjithë kjo gjë më duket për të ardhur keq.

Tani, shpresojë që qeveria e Kosovës të gjejë një mënyrë që të korrigjojë gabimet e saj fillestare.

Qeveritë bëjnë gabime dhe shpresoj, që në njëfarë niveli dhe ndoshta në të gjitha nivelet, qeveria e Kosovës do ta pranojë këtë, por është një periudhë e vështirë. Në të njëjtën kohë, kjo nuk do të ndryshojë faktin se Serbia duhet të përballet me realitetin.

Mbretëria e Jugosllavisë është zhdukur, Jugosllavia komuniste është zhdukur. Serbia e ka humbur Kosovën. Nuk do ta marrë prapë. Për më tepër, përse Serbia dëshiron të qeverisë një popullatë që nuk dëshiron të udhëhiqet prej saj? Serbia natyrisht, ka interesa serioze, legjitime, të kuptueshme për manastiret historike, njerëzit atje, ka interes për komunitetin serb dhe mund të gjenden rrugë për trajtimin e këtyre çështjeve. Shtetet e Bashkuara po punonin për këtë me Evropën dhe përfaqësuesit evropianë.

Por besoj e kuptoni ku dua të dal. Kjo nuk është një situatë e drejtë dhe e paanshme. Është një situatë në të cilën Shtetet e Bashkuara mendojnë se qeveria e Kosovës ka bërë një gabim serioz, situatë të vështirë“, ka thënë ai.

/GazetaSinjali

Publikime te ngjashme