Imeri për vdekjen e ish-aktivistit të LDK-së: Vrasësit i dimë, urdhëruesit janë tani në proces

2 minutes, 28 seconds Read

Imer Imeri- vëllai i aktivistit të vrarë të LDK-së, Haki Imeri, ka thënë se ai i di vrasësit e vëllait të tij, duke shtuar se beson se Gjykata Speciale do të hedhë dritë mbi atë se çfarë ndodhi më vëllanë e tij.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, në RTV Dukagjin, Imeri ka thënë se urdhëruesit janë tani në proces.

“Besoj plotësisht që do të zbardhet rasti megjithëse se vrasësit i dimë ka kohë, por urdhëruesit janë tani në proces dhe do t’i dimë edhe ata përmes Gjykatën Speciale”.

Ai ka rrëfyer sipas mënyrës së tij se si është arrestuar vëllai i tij, e më pas është vrarë.

“Më 2 nëntor 1999, vëllai im është arrestuar nga tre persona. Ata kanë qenë në rroba të zeza që i kanë mbajtur policia e UÇK-së. Emblemë nuk kanë pasur fare. Ata kanë qenë të veçantë, i dinim të gjithë se kush janë. Vëllanë tim e ka shoqëruar Agim Januzi, edhe ata i kanë dalë përpara e kanë pritur krejt kohën para shkollës, dhe kur është larguar nga shkolla ka ardhur në fshatin Brojë, aty i kanë dalë para dhe i kanë thënë Haki urdhëri është të vish me neve në informacion. Sikur nuk i kemi pasur faj askujt kurrë ka thënë po pa kurrfarë dyshimi, e kanë marrë vëllanë dhe në atë rrugë e kanë dërguar në mes të
Aqareva dhe Kopiliqit dhe e kanë pushkatuar aty”.

Ai është shprehur i sigurt për emrat që siç thotë ai e kanë ekzekutuar Haki Imerin.

“Jam i sigurt për emrat që e kanë ekzekutuar sepse policia e UNMIK-ut atëherë edhe EULEX edhe policia jonë ma kanë dëshmuar që ata persona janë, ish Agron Sylejmani që më 17-18 marsi e kanë vrarë policia e UNMIK-ut te Vushtrria, ish Naim Kadriu dhe Avni Feta – ish polic i Kosovës nga policët e parë. Asnjëri nga ta nuk më kanë kontaktuar fare. Këta persona nuk kanë hyrë në burg. Nuk ka pasur proces gjyqësor sepse gjyqësia ka qenë e shkelur në fyt”.

Ai thotë se këtë çështje e ka adresuar te krerët shtetëror por që vetëm nga Hajredin Kuçi kishte marrë përgjigje.

“I kam shkruar Atifete Jahjagës, Jakup Krasniqit, Hashim Thaçit, Ismet Kabashit, Hajredin Kuçit, Bajram Rexhepit, Shpend Maxhunit, i kam shkruar, dhe i vetmi që më ka kthyer përgjigje është Hajredin Kuç֛i i cili më ka thënë se më vjen keq, e kemi gjyqësinë e pavarur dhe drejtohuni tek ata. I kam shkruar shefit të EULEX-it, nuk është përgjigjur fare, i kam shkruar ambasadës amerikane, për dy ditë më është lajmëruar. Ambasada amerikane më kanë premtuar se kjo punë do të ecë përpara”.

Publikime te ngjashme