Hovenier: NATO veproi për shkak të ngjarjeve si ajo në Krushë të Madhe, SHBA qëndron përkrah Kosovës

1 minute, 41 seconds Read

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier kujtoi masakrën në Krushë të Madhe, 25 vjet më parë, duke marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore që u mbajt atje.

Hovenier tha se një ditë para se të ndodhte masakra që la rreth 250 viktima dhe rreth 60 të zhdukur që prej atëherë, NATO nisi fushatën bombarduese pikërisht për shkak të këtyre ngjarjeve.

“Vetëm një ditë pasi NATO-ja filloi fushatën e saj për t’i dhënë fund fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik, forcat e Millosheviqit hynë në këtë fshat dhe vranë mbi 250 civilë të pafajshëm. NATO veproi pikërisht për shkak të veprimeve të tmerrshme si ky që kishte ndodhur këtu”, tha Hovenier.

Ai kujtoi edhe fjalët e sekretares së atëhershme të Shtetit, Madeleine Albright.

“Të njëjtën ditë, Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright tha: e kemi të pamundur të negociojmë përderisa Millosheviqi shton numrin e forcave, i sulmon civilët dhe i djegë fshatërat në Kosovë. Aksionet e NATO-s kanë qëllim ta mbështesin paqen dhe sigurinë në Europë dhe t’u japin fund mizorive dhe krizës humanitare”.

“Me të vërtetë, si aleancë, ne u bëmë bashkë për të vepruar, për të reaguar, vetëm pasi i kishim shteruar të gjitha alternativat për ta ndalur gjakderdhjen. Prandaj, është tepër e duhur që pikërisht këtu në Krushë të Madhe, sot vëmë në pah dhe dëshmojmë për këtë tragjedi”, shtoi ambasadori.

Ai po ashtu shprehu sërish mbështetjen e SHBA-së për popullin e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës dhe jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë me ju për të siguruar që çdo individ në Kosovë mund të jetojë në kushte të dinjitet, lirisë, sigurisë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo rrethanat”, tha ai./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme