Historia e tifozit më viral të Real Madridit – Kush është 24-vjeçari Samuel Dabo që ka çmendur rrjetet sociale?

5 minutes, 16 seconds Read

Santiago Bernabeu. Ora 23:10 të martën e kaluar. Real Madridi sapo kishte barazuar 1-1 kundër Manchester Cityt në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Në dalje, një vërshim i tifozëve të Real Madridit ecën me hapa të shkurtër poshtë Calle Rafael Salgado, duke kaluar pikërisht pranë setit që gazeta Marca kishte instaluar për të parë, drejtpërdrejt, përshtypjet e nxehta të shumë prej atyre tifozëve. Dhe atëherë u shfaq Samuel Dabo. Në atë kohë, një amator krejtësisht i panjohur për gazetarinë.

Analiza e tij e pastër e lojës në anglisht, mënyra e të folurit dhe mbi të gjitha mosha e tij (24 vjeç) bënë që videoja të përhapet me zjarr në rrjetet sociale. Në atë natë të Ligës së Kampionëve u fol për lojën diskrete të Erling Haaland, lojën e shkëlqyer të Antonio Rudiger, golin e mrekullueshëm të Vinicius Jr dhe videon e atij tifozi të panjohur. Por kush ishte ai djalë?

“Emri im është Samuel Dabo i njohur ndryshe si Adwen Kessie. Adëen Kessie është emri im i familjes”, ka thënë fillimisht Dabo për redaksinë e gazetës Marca, ku ishte i ftuar një ditë më vonë.

“Unë jam një aktor filmi në Ganë. Jam me origjinë nga Kumasi, i cili është kryeqyteti i rajonit Ashanti [në pjesën jugore ende jo bregdetare të vendit]. Kam bërë shumë filma. Mund të shkoni në YouTube dhe ndonjë rrjeti social, si TikTok”.

“Ka video me mua kudo . Dhe unë jam një tifoz i madh i futbollit. Gjithashtu i përkushtohem botës së topit”, rrëfen ai si një prezantim në shoqëri.

“Videoja që keni bërë nga unë në Marca është e mrekullueshme. Jam shumë i lumtur sepse nuk e prisja të gjithë këtë. Që u shpërnda kaq shpejt. Të gjithë më kanë telefonuar nga ShBA-të dhe nga të gjitha pjesët e Evropës”. shton ai.

Projekti i tij: Akademia e Futbollit Dabo

Samuel Dabo është një personazh i famshëm në Gana. Ai është një personazh i famshëm dhe kjo e bëri atë të krijojë një akademi futbolli për t’i kthyer shoqërisë gjithë dashurinë që mori. Dhe lindi Akademia e Futbollit Dabo, një shkollë për të ndihmuar fëmijët e vendit dhe për të përdorur futbollin si një mënyrë për zhvillim personal dhe profesional.

“Akademinë e kam sepse kërkoj të ndihmoj të tjerët. Është ëndrra ime, sepse kur ke para duhet t’u japësh të tjerëve. Të gjithë kemi nevojë për ndihmë. Edhe unë kam nevojë për ndihmë. Vëllai im ka nevojë për ndihmë…”.

“Unë dua të kthehem në tokën time për t’i ndihmuar ata. E kam menduar dhe dua të shkoj në vende, në qytete, të gjej talent dhe që të gjithë të shohin se Gana ka lojtarë shumë cilësorë. Nga Gana kanë ardhur Thomas Partey, Michael Essien. Shumë lojtarë me cilësi të madhe”, pohon prerazi aktori ganez.

Akademia e tij aktualisht ka 30 lojtarë dhe ideja e tij është që, me mbështetje, ajo do të vazhdojë të rritet .

“Në Ganë situata e fëmijëve nuk është shumë e mirë. Sepse kur nuk ke ku të luash futboll, nuk mund të shkosh askund. Djemtë jetojnë në akademi. Ata shkojnë në shkollë. Unë kam punonjës, trajnerë. Vetëm unë mendoj për fëmijët, prandaj vij në Evropë për të gjetur një zgjidhje dhe për të kërkuar ndihmë”.

“Kam kategori më të ulëta të U-14, U-15, U-16, U-17 dhe U-18. Dua, ndoshta me këtë intervistë, të kem mundësinë të përpiqem të gjej një marrëveshje me Real Madridin ose ekipet e mëdha. Ose të filloj me ndonjë klub. Të kem mundësi me divizione më të ulëta. Dua të kem mundësinë. Ndoshta me agjent”, mendon Dabo teksa ecën përpara, duke theksuar se nisma është totalisht altruiste.

“Akademia ime nuk mbledh para. Sepse në Ganë, kur kërkojnë para, fëmijët nuk duhet t’i japin”.

Bellingham, PSG… dhe Florentino

Para disa javësh ai pati mundësinë të vizitojë ambientet e Borussia Dortmundit, të shpjegojë nismën e tij me akademinë dhe të takohet me Jude Bellingham.

“Gjatë Kupës së Botës së fundit isha me Otto Ado, i cili është një nga trajnerët më të mirë në Dortmund. I vizitova ata. Otto më bëri një vizitë në objektet dhe u takova me Bellinghamin”.

“Kam shkuar në Francë për të vizituar PSG-në. Kam vizituar Ajaxin, aty luan vëllai im Mohammed Kudus [mesfushori ganez 22-vjeçar]. Ai është një nga futbollistët më të mirë në vendin tim sot. Kam vizituar disa klube, po përpiqem të shkoj larg për të ndihmuar lojtarët e mi”, tregon Dabo, i cili përfiton nga intervista për t’i dërguar një mesazh të veçantë edhe Florentino Perezit.

“E marta ishte hera e parë që shkova në Santiago Bernabeu. Ajo që ndjeva ishte diçka e mrekullueshme. Ëndrra ime, ndoshta një ditë, është të takoj lojtarët dhe Florentinon. Sepse ai është një president i madh. Çdo transferim që ai bën… Ai Është presidenti, Real Madridi është shumë i madh, ata kanë shumë trofe”.

Cristiano Ronaldo, shembulli i tij

Për të përfunduar intervistën, Dabo pretendon se është një fans i madh i Cristiano Ronaldos për atë që ka bërë për futbollin, por edhe për historinë e tij personale.

“Ai është një super lojtar. Cristiano Ronaldo frymëzon të gjithë fëmijët, sepse ai vjen nga një familje e varfër. Ai duhej të kërkonte të hante në McDonalds. Ai është një shembull për fëmijët në Gana”, përfundoi 24-vjeçari ganez.

Samuel Dabo do të përfundojë turneun e tij në Evropë për pak ditë dhe, para se të nisej për në Ganë, ai donte që e gjithë bota të dinte historinë e tij.

Dhe kjo është ndoshta historia pas tifozit më viral të vitit të Real Madridit./Telegrafi

Publikime te ngjashme