Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka humbur betejën ndaj Gazmend Muhaxherit në Apel, pasi gjykata ka vendosur në favor të kryetarit të Pejës, duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë. Përmes aktgjykimit të nxjerrë nga Gjykata e Apelit, është refuzuar si e pathemeltë ankesa e Haradinajt.
Lajmin e ka konfirmuar avokati i Gazmend Muhaxherit, Besnik Berisha, i cili në një prononcim për Sinjalin ka bërë me dije se Apeli e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallë së parë, me të cilin ishte refuzuar ankesa.
Në vendimin e Apelit thuhet se përfundimi juridik i Gjykatës Themelorë në Pejë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore, e as në shkelje të tjera të dispozitave të procedurës kontestimore, të cilat i ka pretenduar Haradinaj.
Apeli ka gjetur se refuzimi i ankesës nga gjykata e shkallës së parë, ka vërtetuar në mënyrë të plotë dhe të drejtë gjendjen faktike, prandaj aktgjykimi është vërtetuar në tërësi.
Kujtojmë se Haradinaj kishte bërë padi për shpifje ndaj të parit të Pejës, në prill të vitit 2015, duke kërkuar që Muhaxheri të detyrohet “që në emër të kompensimit të dëmit material nga deklarata e shpifjes në të përditshmen austriake ‘Der Standart’, t’ia paguajë shumën prej 250 mijë euro dëmshpërblim.
Padia ndaj kryetarit të Pejës ishte bërë pas disa deklaratave të dhëna, ku kishte akuzuar Haradinajn se “ende po bën para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit” në Pejë.