Gjyqtari – Dedajt: Sipas dëshmisë që keni dhënë këtu i bie se keni gënjyer hetuesit e EULEX-it

2 minutes, 10 seconds Read

Dëshmitari Gjergj Dedaj ka përfunduar sot dëshminë e tij në gjyjumin ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Në ditën e fundit, Dedaj është marrë në pyetje nga trupi gjykues përmes gjyqtarit, Guenawl Mettraux.

Mettraux fillimisht pyeti Dedajn se a e pranon që deklaratat e dhëna për EULEX-in janë të rreme.

“A e pranoni ju se duke marrë parasysh dëshmitë që po i jepni para kësaj gjykate tani, informacioni apo dëshmitë që i keni dhënë UNMIK-ut janë të rreme, këtë po ma thoni. Për shembull në ato deklarata keni thënë që iu kanë rrahur, këtu po na thuani që nuk ju kanë rrahur. Pra pretendimin se ju kanë rrahur bie poshtë duke marrë parasysh dëshminë që po jepni këtu, a është e drejtë”, tha gjyqtari Mettraux.

Dedaj tha se i ka ekzagjeruar ato deklarata që motivet e tyre i ka treguar tashmë.

“E kam ekzagjeruar dhe i kam tregu motivet e atyre deklaratave të që i kam ekzagjeruar dhe në letrën e fundit që e kam dergu”, tha Dedaj.

Mettraux tha që sipas dëshmisë që dëshmitari po jep tani i bie që ka gënjyer hetuesit e EULEX-it.

“Sipas dëshmisë që po jepni sot, i bie se ju keni gënjyer hetuesit e EULEX-it, apo jo se ju keni thënë, se keni pretenduar se ju kanë rrahur, edhe të tjerët janë rrahur dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Pra, informacioni që i keni dhënë EULEX-it nëse marrim parasysh dëshminë që po na e jepni ju sot i bie që të jetë i rremë dhe tjetërsues, e pranoni këtë?”, pyeti gjyqtari Mettraux.

Dedaj tha se në konferencën për shtyp e ka thënë të vërtetën dhe në deklaratat e fundit.

“Tash e kam thënë të vërtetën, kur jam kthy në konferencë të shtypit dhe e kam thënë të vërtetën këtu, këto ma nuk qëndrojnë”, tha Dedaj.

Ndryshe, në njoftimin e Gjykatës Speciale thuhet se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve rinis nesër, nga ora 09:00, kur pritet të dëshmojë dëshmitari i radhës i ZPS-së.

“Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Gjergj Dedaj, seanca e sotme në gjykatën Thaçi etj. gjykimi është shtyrë. Gjykimi do të rifillojë nesër, më 9 nëntor 2023, në orën 09:00, kur pritet të nisë edhe dëshmia e dëshmitarit të radhës të SPO-së”, thuhet në njoftim.

Publikime te ngjashme