Gjykata vendos për drejtimin e PD, opozita në protest

5 minutes, 43 seconds Read

Ka nisur seanca gjyqësore e shqyrtimit të ankimit të grupimit Alibeajt kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, i cili vendosi të pranojë padinë e Rithemelimit duke njohur Kuvendin e 11 dhjetorit 2021. Alibeaj kërkon në ankim prishjen e vendimit dhe kthim në Shkallën e Parë.

Në sallën e gjyqit ndodhet edhe një vëzhguese nga ambasada amerikane.

Përfaqësuesi i Berishës, Ivi Kaso, kërkoi që Gjykata të mos pranojë ankimin. Por Gjykata vlerësoi që “nisur nga fakti se argumentet mbi legjitimimin e ankuesit ndërthuren me faktet në ankimin kundërshtues do të shprehet për to në një moment të mëvonshëm”, çka do të thotë që do të vazhdojë shqyrtimi i ankimit.Indrit Sefa, përfaqësues i grupimit Alibeaj, tha se gjyqtari Agron Zhukri duhet ta pushonte çështjen, kur Lulzim Basha vuri në dijeni gjykatën se partia e drejtuar prej tij nuk kishte bërë kërkesë për regjistrim të ndryshimeve statutore.

Palë në proces është partia Demokratike. Përfaqësues është Komisioni i Rithemelimit. Sipas palës ankuese, vendimi i 25 marsit 2022 kundërshtohet për tri shkelje.

Gjykata e Shkallës së Parë ka pasur në konsideratë faktin se në gjykatë ishte depozituar një krkesë tjetër për regjistrimin e Kuvendit të korrikut 2021. Gjyqtari ka pezulluar çështjen deri në regjistrimin e tij. Sipas ankuesit gjyqi ka rinisur para se regjistrimi i ndryshimeve statutore të korrikut 2021 të merrte formë të prerë. Sipas palës ankuese, nuk njihet koncepti i vetëmbledhjes apo vetëthirrjes sipas statutit të PD.

Së fundmi, duke e konsideruar si jolegjitim Komisionin e Rithemelimit për të kërkuar në gjykatë regjistrim ndryshimesh statusore, ankuesi (Alibaej) i kërkon Apelit pushimin e çështjes, ose prishjen e vendimit dhe kthimin për rigjykim në shkallën e parë.

Relacioni i Gjykatës së Apelit
Por përfaqësuesi i grupimit Berisha, Oerd Bylykbashi, tha se pas dorëzimit të statutit, gjykata duhet të bëjë vetëm verifikim të kritereve formale. “Nëse një prej akteve nuk plotësohet, ai që e ka bërë kërkesën mund të ankohet”, tha Bylykbashi.

Përfaqësuesi i grupimit të Berishës, Ivi Kaso, kërkoi paraprakisht që Gjykata të konstatojë mospranim e ankimit, pasi gjykata është investuar nga një palë që nuk legjitimohet. “Sipas nesh vendimi gjyqësor që e ka lejuar ankuesin është marrë në kundërshtim të ligjit”, tha Kaso.

“Gjykata e Tiranës është investuar nga PD e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit, depozitimin e akteve statutore dhe vendimeve të Kuvendit të 11 dhjetorit, kërkesë që është miratuar nga gjykata (Zhukri). Ankuesi, deputeti Alibeaj, ka vënë në lëvizje gjykatën përmes mekanizimit të disponimit mbi ankimin. Gjyqtarja Blerina Mucca ka pranuar për shqyrtim ankimin e Alibejt, në kundërshtim flagrant me ligjin. Ligji procedural parashikon qartë çfarë është ankimi dhe kriteret që duhet të plotësojë.

Sipas ligjit, për të kundërshtuar një vendimmarrje duhet të jesh palë. Palë në proces për gjyqin me vendimmarrje 25 marsin 22 ishte PD e përfaqësuar nga Rithemelimi”.

Pretendimi u kundërshtua nga përfaqësuesi i grupimit Alibeaj, Endrit Sefa: “Ky nuk është momenti procedural ku ngrihet ky lloj pretendimi. Ne mendojmë se kjo gjykatë duhet t’i shqyrtojë gjithë elementet. Ne kemi bërë edhe shtesat e ankimit tonë. Komisioni i Rithemelimit nuk ka personalitet juridik dhe nuk mund të lëshojë autorizim. Që në momentin e parë që i është drejtuar gjykatës. Edhe Shkalla e Parë ka gabuar kur është legjitimuar Ivi Kaso për të paraqitur padinë në Shkallën e Parë. Ka një konfondim, a ka legjitimitet Komisioni i Rithemelimit”, tha ai.

Si nisi beteja ligjore?

Beteja ligjore për vulën dhe logon e Partisë Demokratike nisi në dhjetor 2021. Atë kohë, Sali Berisha dhe Lulzim Basha zhvilluan dy Kuvende Kombëtare të Partisë Demokratike, nga ku secili pretendoi se ishte konfirmuar si kryetar i selisë blu.

Të dyja kampet iu drejtuan Gjykatës së Tiranës për të zyrtarizuar në akte juridike vendimet që kishin marrë në salla forumesh politike dhe pasqyrimin e vendimeve të kuvendeve në regjistrin e partive politike.

Prania e padisë së Berishës, nënkuptonte njohjen nga gjykata të marrjes së drejtimit të partisë nga Grupi i Rithemelimit, i udhëhequr prej tij dhe shkarkimi i Lulzim Bashës nga kryesimi i PD-së.

Më 25 mars 2022, gjyqtari i Tiranës, Agron Zhukri, pranoi këtë padi, duke zyrtarizuar kështu kalimin e logos së Partisë Demokratike dhe vulës në favor të kampit të liderit historik.

Por ky vendim nuk u pasqyrua në regjistrin e partive politike të cilën mban Gjykata e Tiranës, për shkak se u ankimua në Apel nga Enkeled Alibeaj, si përfaqësues i grupit të Bashës.

Ndonëse nuk ishte palë në proces, Alibeaj mundi të fitojë të drejtën për të bërë ankim përmes një vendimi gjykate. Në këtë mënyrë, në pritje të shqyrtimit të ankimit në Apel në regjistrin e partive politike në Shkallën e Parë nuk u fshi emri i Lulëzim Bashës.

Ai figuron edhe sot si kryetar i PD-së, ndonëse është publikisht i dorëhequr dhe ka në dorë vulën dhe logon e partisë, por me struktura inekzistente prej më shumë se një viti.

Gjykata e Tiranës nuk e rifreskoi regjistrin e partive politike, duke mos shënuar Sali Berishën si titullar të PD-së, ndonëse vendimi i gjyqtarit Agron Zhukrit e deklaronte të tillë. Nga ana tjetër, demokratët e Berishës bënë dy ankime në Apel.

Në të parin, ata kundërshtuan ankimin e bërë nga Alibeaj dhe në të dytin kundërshtuan vendimin që e pranoi atë si palë në proces.

Procesi u zvarrit nga mbingarkesa me dosje në Gjykatën e Apelit. Në fillim shorti përzgjodhi gjyqtaren Elona Toro si kryesuese dhe Edlira Petri e Genti Shaka anëtare. Për muaj me radhë, nuk u caktua një datë për shqyrtimin e çështjes.

Në shkurt të këtij viti, Gjykatat e Apelit të zakonshëm në vend u shkri në një të vetme në Tiranë, në atë të Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Për shkak se për dosjen e shqyrtimit të fatit të vulës së PD-së nuk ishte caktuar një datë ajo u rishortua.

Shorti i ri përzgjodhi gjyqtaren Elona Mihali si kryesuese dhe Irida Kacerja e Artur Kalaja anëtarë, me ritëm më të shpejtë sesa kolegia e tyre e mëparshme, përpara apeleve publike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe kërkesës së palëve demokrate për një gjykim më të shpejtë, ata caktuan 3 marsin si ditë për të dhënë verdiktin.

Publikime te ngjashme