Gjendja e të lënduarve nga përleshja me armë zjarri në Prishtinë, QKUK tregon situatën e pacientëve

1 minute, 20 seconds Read

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar sot për gjendjen shëndetësore të të plagosurve dhe të lënduarve nga përleshja me armë zjarri të premten në mbrëmje në lokalin Bon Vivant në Prishtinë.

ShSKUK njofton se pesë persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë.

“5 persona janë pranuar për trajtim të mëtejmë, pas ndihmës mjekësore emergjente në Klinikën Emergjente, si pasojë e lëndimeve që kanë marrë mbrëmë. Prej tyre, 4 janë pranuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën e Ortopedisë dhe 1 në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, të gjithë jashtë rrezikut për jetë. Ndërkaq, përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi mjekësor, një person i datëlindjes 1984, ka ndërruar jetë në Mjekimin Intensiv Qendror. Numri total i pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, ishte 17”, bëhet e ditur në njoftim.

ShSKUK njofton se prej tyre, 7 ishin të lënduar me armë zjarri dhe 10 me mjete të mprehta.

“I gjithë stafi i Klinikës Emergjente dhe klinikave të tjera kanë qenë në gjendje gatishmërie dhe kanë ofruar ndihmën e nevojshme mjekësore, bashkë me drejtorin e Klinikes Emergjente, Naser Syla. Për të ngritur gjendjen e gatishmërisë, ofruar mbështetje dhe për t’u interesuar për të lënduarit në Klinikën Emergjente ka qenë edhe drejtori i përgjithshëm i ShSKUK, Elvir Azizi”, thuhet në njoftim.

Publikime te ngjashme