Gërvalla sulmon PDK-në e LDK-në pasi u kritikua nga ta: “Jeni në gjendje të mjerueshme…”

2 minutes, 11 seconds Read

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, ka reaguar mbrëmë pas kritikave që mori rreth një fjalimi që ajo kishte në Forumin e Dubrovnikut. Pasi tha se pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre, Gërvalla me anë të një statusi në Facebook-un e saj është marrë me dy partitë më të mëdha opozitare në vend.

Duke tentuar të arsyetojë deklaratën e saj, që u cilësua si skandaloze, Gërvalla tha se se me fanatizëm do ta mbrojë të vërtetën, teksa ka përmendur pak PDK-në e LDK-në.

“Një prej fatkeqësive të Kosovës është gjendja e mjerueshme e partive opozitare dhe përfaqësuesve të tyre. Si gjatë qeverisjes edhe tani në opozitë janë pa plan, pa strategji, pa vizion, pa dinjitet. Opozitë që përveç sulmeve personale, të bazuara në thashetheme dhe tituj bombastik dhe të pasaktë, asgjë nuk ofron.

E sa për PDK-në, e cila tenton të na frikësojë që, nëse ajo vjen në pushtet, ne nuk paskemi më vend në Kosovë, mundem vetëm t’iu përkujtoj që nuk janë të parët që nuk dëshirojnë të më shohin as fizikisht në vendin tim. I kam pasur vetëm 8 vjet kur më kanë përzënë për herë të parë nga vendi im. Por ata që për 19 vjet me radhë (1980-1999) më privuan nga e drejta për t’u kthyer në vendin tim, madje as edhe sa për të kthyer eshtrat e babait në tokën e tij, janë ata që nuk kanë më vend në Kosovën e lirë.

E për LDK-në, nuk po flas sonte. Po flasin kaq shumë vet, po vajtojnë, shajnë, mallkojnë e gënjejnë, saqë çdo fjalë nga ime do të ishte e tepërt.”, ka shkruar ajo.

Ajo madje u mor sërish me deklaratën e saj, duke thënë se nuk tërhiqet, pasi sipas saj, “BE-ja e di këtë”.

“Unë mendoj që ajo nuk është në gjendje dhe nuk ka kapacitet për ta garantuar sigurinë. Arsyet janë të qarta: mungon vullneti politik, mospajtimet brenda Bashkimit Evropian janë të mëdha dhe sa i përket sigurisë, pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është një tigër prej letre. BE-ja e di këtë dhe prandaj vazhdimisht lëshon pe, i ikën konfrontimit.”

I sfidoj publikisht “specialistët”, që para se të mësyjnë me sulme personale dhe etiketime nga më absurdet, të na tregojnë saktë se cila nga shkronjat e citatit të mësipërm është e pasaktë apo e pavërtetë.“.

Publikime te ngjashme