Gërvalla sulmon ashpër BE-në: “Pa Amerikën, është vetëm tigër prej letre – kjo është e rrezikshme”

2 minutes, 56 seconds Read
Pa ShBA-në dhe NATO-n, Bashkimi Evropian është “një tigër prej letre” në çështjet e sigurisë, ka thënë sot ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

Gjatë një fjalimi në një panel diskutimi në “Forumin e Dubrovnikut” në Kroaci të shtunën, Gërvalla ka deklaruar se evropianët janë në dijeni për dobësitë e tyre në diplomaci dhe siguri.

Sipas kryediplomates së Kosovës, kjo dobësi e Unionit në çështjet e sigurisë përbën rrezik të lartë për rajonin e Ballkanit Perëndimor, për shkak se, siç thotë ajo, i ka dhënë hapësirë Putinit dhe aleatëve të tij që të nxisin tensione në rajon.

Për shkak të pafuqisë së saj, ka thënë Gërvalla, BE-ja e ka vetëm një mjet për të arritur qëllimet: dialogun.

Gjatë fjalimit, Gërvalla tha se Bashkimi Evropian nuk po mund të garantojë sigurinë dhe stabilitetin në Evropë.

“Çështja kryesore e sigurisë në Ballkanin Perëndimor që ne pyesim vetën është se a mund të jetë BE ajo që garanton sigurinë dhe stabilitetin në Evropë. Vlerësimi im është që BE-ja nuk mundet dhe unë nuk jam e vetmja që mendoj kështu”, është shprehur Gërvalla.

Ajo tha se të njëjtën gjë e ka thënë ditë më parë edhe një analist gjerman, dhe se BE nuk mund të ofrojë siguri sepse nuk ka vullnet politik.

“Bashkimi Evropian nuk është në gjendje të ofrojë siguri për arsye më se të dukshme: nuk ka vullnet politik dhe ka shumë përçarje në Bashkimin”, është shprehur ajo.

Tutje shtoi se BE po përdor bisedimet për paqe, dhe kjo është një gjë e rrezikshme nga ana e tyre.

Në fjalimin e saj të cilin e ka siguruar Paparaci, Gërvalla ka vazhduar ta sulmojë BE-në dhe politikat e saj.

Ajo ka thënë se qasja zbutëse e Unionit ndaj autokratëve në rajon i ka shtyrë ata të nxisin tensione, duke e testuar BE-në.

“Kjo ka bërë që Putini të përshkallëzohej dhe qetësimi i BE-së ka ftuar autokratët të përshkallëzojnë edhe më tej situatën”, është shprehur Gërvalla.

Sipas shefes së diplomacisë kosovare, qasja e BE-së ndaj autokratëve në rajon i ka shtyrë ata drejt kercënimeve me luftë.

Gërvalla ka thënë se BE-ja dhe evropianët nuk kanë arritur asnjëherë në histori të ndalojnë luftëra.

Duke folur për BE-në dhe relacionin e saj me Kosovën, veçanërisht dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga Unioni, ajo ka nxjerrë argumente nga anketa të realizuara në Kosovë të cilat tregojnë për rritjen e skepticizmit të kosovarëve ndaj dialogut.

Kryediplomatja ka thënë se në vitin 2023, 84 për qind e kosovarëve kërkuan nga qeveria që të mos bëhet asnjë kompromis në raport me Serbinë në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, krahasuar me vitin 2021 kur 50% ishin shprehur kundër kompromiseve.

Delegacioni i Kosovës në Dubrovnik kryesohet nga Gërvalla, e cila shoqërohet nga vartësi i saj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti. “Forumi i Dubrovnikut” organizohet nga qeveria kroate.

Në këtë ngjarje, po marrin pjesë edhe shefi i diplomacisë evropiane, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Diplmaci dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell e emisari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar./Paparaci

Publikime te ngjashme