Gazetari rus dhe kritiku i ashpër i Putinit gjendet i vdekur në Beograd

1 minute, 17 seconds Read

Gazetari dhe kuzhinieri rus Alexei Zimin ka ndërruar jetë në moshën 53-vjeçare në Beograd, derisa shkaku i vdekjes akoma nuk është përcaktuar.

Mediat serbe shkruajnë se është gjetur i vdekur në apartamentin e marrë më qira në Beograd, transmeton Telegrafi.

Pronari i apartamentit nuk kishte mundur ta kontaktojë për plotë shtatë ditësh, e kur shkoi për të parë se çfarë po ndodhë – e gjeti të vdekur. Raportohet se kishte një plagë në kokë.

Alexey Zimin ndërtoi një karrierë të shquar në media dhe kuzhinë, duke punuar për Afisha, e cila dha lajmin për vdekjen e tij, dhe ishte kryeredaktor i disa revistave, duke përfshirë GQ dhe Gourmet.

Ai gjithashtu shkroi si kolumnist për Kommersant dhe Vedomosti. Përveç aktiviteteve të tij gazetareske, Zimin drejtoi emisionin televiziv Gatim me Alexei Zimin dhe shkroi disa libra gatimi.

Pas transferimit në Londër në vitin 2015, Zimin filloi një karrierë në industrinë e restoranteve dhe hapi restorantin dhe revistën Zima.

Ai ishte një kritik i luftës në Ukrainë dhe më parë kishte postuar një video në Instagram në të cilën këndonte një këngë kundër luftës, shkruan Economist.

Pasi publikoi një video me një këngë kundër luftës, emisioni i tij televiziv rus Gatim me Alexei Zimin u anulua papritmas në rrjetin NTV.

Ish-deputeti rus dhe politikani i opozitës Iliya Ponomarev tha se emisioni u anulua për shkak të “deklaratave kundër luftës në mediat sociale të prezantuesit”.

Publikime te ngjashme