Dy nga kundërshtarët më të ashpër të kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kanë bërë të ditur bashkimin e forcave me synimin e vetëm: rrëzimin e qeverisë së tij aktuale të koalicionit.
Ish-kryeministrat Naftali Bennett, i krahut të djathtë, dhe Yair Lapid nga qendra, përmes deklaratave të lëshuara këtë të diel, njoftuan shkrirjen e partive të tyre, “Bennett 2026” dhe “Ka një të Ardhme” (Yesh Atid).
Gjatë një konference të përbashkët për media, Lapid theksoi se ky bashkim vjen si një domosdoshmëri për të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke shtuar se shteti i Izraelit ka nevojë urgjente për një drejtim të ri.
Ndërkaq, Bennett njoftoi se subjekti i ri politik do të mbajë emrin “Together” (Së Bashku) dhe ai do të jetë në krye të kësaj iniciative, shkruan Skynews.
“Pas tri dekadash, ka ardhur koha të ndahemi përfundimisht nga Netanyahu dhe të nisim një epokë të re për Izraelin”, ka deklaruar Bennett.
Kjo lëvizje vjen si përgatitje për garën elektorale që pritet të zhvillohet më vonë gjatë këtij viti.
Vlen të theksohet se kjo dyshe kishte bashkëpunuar edhe në vitin 2021, kur arritën t’i jepnin fund pushtetit 12-vjeçar të Netanyahut.
Megjithatë, koalicioni i tyre i atëhershëm arriti të mbijetonte për vetëm 18 muaj për shkak të brishtësisë së numrave në parlament.
Netanyahu, lideri me jetëgjatësinë më të madhe në krye të Izraelit, u rikthye fuqishëm në pushtet pas fitores në zgjedhjet e nëntorit të vitit 2022.
Një vit më pas, rajoni u përfshi nga një krizë e thellë pas sulmit të Hamasit në tetor të vitit 2023, që shkaktoi trazira të mëdha në jug të vendit.
Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë masive ajrore në Rripin e Gazës, duke nisur një konflikt që ka ndryshuar rrjedhën e historisë në Lindjen e Mesme.
Që nga fillimi i luftës, shumica e sondazheve parashikojnë një rënie drastike të popullaritetit të Netanyahut dhe humbjen e tij të sigurt në zgjedhjet e ardhshme./lajmishqip.net

