Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, u dha fjala përfundimtare në rastin e njohur si “Brezovica 1”, në të cilën prokurori Rasim Maloku kërkoi dënimin e të akuzuarve, kurse mbrojtja e këtyre të fundit, kërkoi lirimin nga akuza.
Gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.
Prokurori Maloku propozoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale me të cilat ngarkohen dhe t’iu shqiptohen sanksione penale në pajtim me ligjin, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori e dorëzoi fjalën përfundimtare me shkrim dhe gjatë elaborimit të saj, tha se pas administrimit të provave janë vërtetuar faktet se të akuzuarit janë fjatorë.
“Sipas aktakuzës së ndryshuar, ne kemi propozuar dhe masën për dënim plotësues ndaj të akuzuarve Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami, ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, sepse të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat zyrtare për të kryer vepër penale, kështu që ekziston rreziku se nëse të pandehurit vazhdojnë me kryerjen e detyrave zyrtare do të kryejnë përsëri vepra të tilla penale”, tha prokurori Maloku.
Mbrojtësi i të akuzuarit Millosavljeviq, avokati Dalip Bega, në fjalën përfundimtare tha se Prokuroria nuk ka dëshmuar me asnjë fakt apo dëshmi përfshirjen e të akuzuarit Millosavljeviq në degradimin e ambientit në zonën e Parkut Kombëtar “Sharri”.
“Rrjedhimisht, me asnjë provë të besueshme nuk është vërtetuar fajësia e të akuzuarit apo të mbrojturit tim, nuk është vërtetuar që i njëjti qoftë me veprim ose mosveprim ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin e tij zyrtar”, tha avokati Bega.
Avokati ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza.
Kurse, i akuzuari Millosavljeviq, ka përkrahur fjalën e mbrojtësit të tij, avokatit Dalip Bega dhe shtoi se nuk e ndjen veten fajtor për këto akuza ndaj tij, andaj dhe i propozoi trupit gjykues që të shpallë aktgjykim lirues ndaj tij.
Mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Bajrami, avokati Elmaz Zenuni, në fjalën përfundimtare tha se mungon elementi kryesor, siç është dashja. Sipas tij, mungon qëllimi kriminal.
“Nuk janë përmbushur elementet e veprës penale kepërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, për arsye se nuk ka përfitime për vete dhe as për tjetrin, nuk i ka shkaktuar dëm askujt dhe nuk ka bërë shkelje të të drejtave të dikujt”, tha avokati Zenuni.
Zenuni propozoi që në mungesë të provave, kjo gjykatë ta lirojë nga akuza të mbrojturin e tij.
E i akuzuari Hysni Bajrami deklaroi se konsideron që i ka kryer detyrat e tij zyrtare krahas ligjeve në fuqi. Andaj, gjykatës i propozoi të veprojë në mënyrë të drejtë dhe që ta lirojë nga akuza.
Në këtë fazë të procedurës, mbrojtësi i të akuzuarit Labinot Vitija, avokati Betim Shala ka propozuar prova të reja që të administrohen dhe lexohen.
“Si prova të pranohen dhe të administrohen; certifikata e pronësisë numër 1946/15 24.11.2015 me të cilën provë dëshmohet se i akuzuari Labinot Vitija nuk ka qenë pronar i ngastrave kadastrale 5716/6 dhe 5717/6 por pronar ka qenë Kastriot Vitija, po ashtu si provë propozoj aktvendimin për leje ndërtimi numër 06/351-74 të lëshuar për dy ngastrat kadastrale të investitorit Kastriot Vitia (vëllau i Labinotit) dhe dy fotografi të objektit të ndërtuar i cili është djegur dhe rindërtuar dhe nga këto foto vërtetohet që nuk është bërë prerja e asnjë mase drunore”, tha avokati Shala.
Ai tha se duke u bazuar në aktakuzën e ndryshuar si dhe në provat e propozuara nga ana e Prokurorisë dhe përkundër faktit që barra e të provuarit i takon Prokurorisë, gjykatës i propozon që për vërtetim të drejtë të gjendjes faktike të bëhet nxjerrja e ekspertizës me ekspert inxhinier të pylltarisë.
Sipas tij, me të do të vërtetohej se cila është kultura (arë, pyll, livadh),në të cilën janë ndërtuar ato objekte në atë ngastër. Shala ka kërkuar nga gjykata ta lirojë nga akuza të mbrojturin e tij.
“Nga provat e dorëzuara sot, vërtetohet se Labinot Vitija nuk ka qenë pronar i ngastrave kadastrale dhe se në ato ngastra ka qenë pronar vëllau i tij Kastriot Vitija. Gjykatës i propozoj që të akuzuarin Labinot Vitija ta lirojë nga akuza sepse nuk është provuar që i njëjti ka kryer veprën penale”, tha avokati Shala.
I akuzuari Labinot Vitija e ka mbështetur fjalën e mbrojtësit.
Propozimin e avokatit Shala për prova të reja, nuk e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve tjerë, ndërsa prokurori Maloku i kundërshtoi si të panevojshme dhe jorelevante për çështjen.
Më pas, kryetari i trypit gjykues, Ilir Bytyqi mori vendim, në bazë të së cilit aprovoi që në cilësi të provave materiale të administrohen: aktvendimi aneks leje ndërtimi numër 06351-3129; fletpagesa në emër të Sanije Gecit; Njoftimi 06-30/01-3326/20; vendimi i MMPH-së me nr.16/5905/1-ZSP/88; Vendimi për shfuqizimin e lejeve ndërtimore të Rijad Hasani nr.06-030/01-4248/17; certifikata për të drejtat pronësore në emër të Kastriot Vitija; aktvendimi leje ndërtimi numër 06/351-74 në emer të Kastriot Vitija si dhe dy fotografi të realizuara nga vendi i ngjarjes me rastin e djegies së vilës ekzistuese para rindërtimit.
Ndërsa, sipas aktvendimit, gjykatësi Bytyqi refuzoi që në cilësi të provës materiale të nxjerret eskepertiza me inxhinier të pylltarisë, me arsyetimin sepse vetë fakti i prezantimit të certifikatave pronësore- lloji i kulturës është i përcaktuar.
Ndërsa sa i përket aktvendimit për leje ndërtimore për Sanije Gecin, tha se është lexuar me rastin e leximit të provave materiale nga shqyrtimi i kaluar gjyqësor.
Në këto rrethana, gjykatësi Bytyqi e shpalli të përfunduar këtë çështje gjyqësore.
Sipas aktakuzës së ndryshuar më 31 maj 2024, të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami ngarkohen se prej 30 dhjetorit 2015 deri më 9 gusht 2019 si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar mbindërtimin e objektit hotelier “Kaona” me pronare Sanije Geci, i cili objekt në kundërshtim me lejen ndërtimore është ndërtuar në parcelat kadastrale numër 5799/16 dhe 5799/17 ZK Verbeshticë, të cilat gjenden në zonën e III-të të Parkut Kombëtar “Sharri”.
Aktakuza e ndryshuar thotë se për këtë objekt, leja ndërtimore është dhënë sipas projektit për sipërfaqen prej 835,14m², kurse investitori ka vazhduar me zgjerimin e sipërfaqes bazike të objektit duke kaluar 2.95 m në pronën ujore të Lumit Murrzhica, si dhe ka vazhduar me mbindërtim duke rritur sipërfaqen në 1821,56 m, i cili ndërtim është përfunduar në kundërshtim me Ligiin për Ujërat e Kosovës, Ligiin për ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.
Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.
Gjithnjë sipas aktakuzës së ndryshuar, të akuzuarit Millosavljeviq dhe Bajrami ngarkohen se prej 24 korrikut 2017 deri më 9 gusht 2019, si inspektorë komunalë të ndërtimit në Komunën e Shtërpcës, nuk kanë ndërmarrë veprime për të ndaluar ndërtimin tetë vikend shtëpive në parcelën kadastrale 5713 ZK Verbeshticë, e cila gjendet në Zonën e II të Parkut Kombëtar Sharri, të investitorit Riad Hasani, për të cilat vikendshtëpiza ishin anuluar lejet ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit sipas vendimit të 24 korrikut 2017, të cilat janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin per mbrojtjen e mjedisit, Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe Planin Hapësinor për Prakun Kombëtar “Sharri”.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.
Aktakuza e ndryshuar thotë se nga 5 nëntori 2018 deri më 9 gusht 2019, Millosavljeviq dhe Bajrami, ngarkohen se nuk kanë ndërmarrë veprimet për ndërprerjen e punimeve në objektin e investitorit Dalibor Trufunoviq, i cili ishte duke ndërtuar pa leje ndërtimore, me ç’rast tani të pandehurit në cilësinë e inspektorëve të ndërtimit kanë kryer inspektimet, kanë hartuar procesverbalet dhe kanë nxjerrë vendim me të cilin kanë urdhëruar investitorin për ndërprerjen e punimeve dhe rrënimin e objektit pa leje, mirëpo nuk kanë vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve, kështu që objekti është ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për ndërtimin, Ligjin për Ujërat e Kosovës dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.
Me këtë, ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës së ndryshuar, i akuzuari Labinot Vitijaj akuzohet se nga 22 shkurti 2011 deri më datën 15 korrik 2016, në Parkun Kombëtar “Sharri” vikend-zona e Brezovicës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, drunjtë e parkut, duke ndërtuar 4 vikend shtëpiza në Zonen e III-të dhe një vikend shtëpizë në zonën e II-t të Parkut Kombetar “Sharri”, në parcelat kadastrale 5713/4, 5713/5, 5713/6 dhe 5716/6 dhe 5717/6, Zona Kadastrale Verbeshticë, me kulturë “Livadh dhe Mal”, në kundërshtim me Ligiin për mbrojtjen e mjedisit dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, të cilat ndërtime kanë degraduar mjedisin në pasuritë e mbrojtura të Parkut Kombëtar “Sharri”.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale ‘Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347, par.1 lidhur me par.5 të Kodit Penal.
Të akuzuar në rastin “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.
Në seancën e mbajtur më 9 gusht 2023, prokurori Rasim Maloku është tërhequr nga akuza ndaj të akuzuarve Dimitrije Reciceviq dhe Sanije Geci.
Më 1 shkurt 2024, tre të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro (së bashku) për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”
Kurse, më 5 shkurt 2024, i akuzuari Gentjan Sula është deklaruar i pafajshëm për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”. Ndaj tij, në seancën e mbajtur më 6 shtator 2023, ishte veçuar procedura.
Ndërsa, në seancën e mbajtur më 6 shkurt 2024, i akuzuari Riad Hasani është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.
Më 15 shkurt 2024, i akuzuari Fatmir Grainca është dënuar me 15 mijë euro gjobë për veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”.
Andaj, gjykimi në rastin “Brezovica 1” është duke vazhduar për të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Labinot Vitija dhe Gentjan Sula. Ky i fundit në gjykim të ndarë ndaj tre të tjerëve.