Familjet Zejnullahu e Hasani në Podujevë në sherr për pronë: 4 të arrestuar pas të shtënave me armë

1 minute, 53 seconds Read

Mosmarrëveshjet për prona po vazhdojnë të shkaktojnë përleshje e telashe të shumta mes qytetarëve, e madje të përfundojnë edhe tragjikisht, siç ndodhi së fundmi në Gjakovë, ku u vranë dy vëllezër. Të tilla raste zakonisht nisin me zënka e konflikte verbale, e më pas eskalojnë edhe në përleshje e kanosje serioze, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka ndodhur edhe sot në fshatin Dumnicë të Podujevës, ku disa anëtarë të dy familjeve Zejnullahu dhe Hasani, janë futur në sherr me njëri-tjetrin.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari Rr. Zejnullahu po dyshohet se ka gjuajtur me kallashnikov për kërcënimin e dy të dyshuarve të tjerë, babë e bir nga familja Hasani, si pasojë e mosmarrëveshje pronësore, që u bënë mollë sherri mes tyre dhe situata eskaloi.

Sipas informacioneve të para, mes dy palëve fillimisht ka nisur një zënkë, por për shkak se të njëjtit s’janë marrë vesh, dyshohet se pati të shtëna me armë.

Përballë kësaj situate, dikush nga familja ka vendosur të kërkojë ndihmë nga Policia, duke e denoncuar atë që ka ndodhur, me ç’rast një njësi policore ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë mbledhur informacionet e para për rastin.

Arma e gjetur është sekuestruar bashkë me tetë gëzhoja, ndërsa katër të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre për rastin për të cilin dyshohen.

Ndaj tyre, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin për 48 orë dhe inicimin e rasteve në drejtim të disa veprave penale.

I dyshuari që gjuajti me armë Rr.Zejnullahu do të hetohet për veprat “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “Mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës”, si dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Kurse për veprën penale “Vetëgjyqësia”, do të hetohen katër të dyshuarit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme