F-16 turq në aksion: Rrëzohet droni misterioz që po i afrohej kufirit, reagon Erdogani

1 minute, 27 seconds Read
Banner Description

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë ka konfirmuar sot një incident serioz ajror: avionët luftarakë F-16 kanë rrëzuar një dron të paidentifikuar që po i afrohej hapësirës ajrore turke nga drejtimi i Detit të Zi. Mjeti fluturues u vlerësua si “jashtë kontrollit” para se të asgjësohej.

Sipas njoftimit zyrtar, ndërhyrja u krye me sukses në një zonë të sigurt, larg qendrave të banuara, për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm për civilët. Deri më tani, autoritetet në Ankara nuk kanë zbardhur detaje mbi modelin, origjinën apo koordinatat e sakta të rrëzimit.

Ky incident ndodh në kulmin e tensioneve në Detin e Zi, ndërsa lufta Rusi-Ukrainë po intensifikohet. Turqia ka shprehur vazhdimisht shqetësim për veprimet e të dyja palëve që cenojnë sigurinë e lundrimit. Pikërisht më 16 dhjetor, presidenti Recep Tayyip Erdoğan deklaroi nga Ankaraja se sulmet e fundit përbëjnë kërcënim serioz për rajonin.

“Sulmet ndaj anijeve tregtare dhe civile nuk i shërbejnë askujt”, paralajmëroi Erdoğan, duke u dërguar mesazhe të qarta Moskës dhe Kievit, ndonëse nuk e lidhi direkt deklaratën me dronin e rrëzuar.

Situata mbetet e nderë pas akuzave të Ukrainës se Rusia goditi anijen turke të mallrave “Viva” me vaj luledielli. Ndërkohë, Moska vazhdon sulmet mbi portet ukrainase. Nga ana tjetër, Turqia kritikoi së fundmi edhe Ukrainën për sulmet me dronë detarë ndaj dy tankerëve të “flotës hije” ruse pranë brigjeve turke.

Si i vetmi vend i NATO-s që kontrollon ngushticat strategjike të Bosforit dhe Dardaneleve, Turqia vazhdon të mbajë kanale të hapura komunikimi me të dyja palët në konflikt. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme