“Ethet” e luftës mbërthejnë Lindjen e Mesme, shefi i Hezbollaut kërcënon Izraelin: Jemi në betejë, të gjithë kartat e hapura

2 minutes, 56 seconds Read

Pak orë pasi Hezbollahu, pas katër javësh nga nisja e konfliktit në Rripin e Gazës, intensifikoi sulmet mbi Izraelin duke goditur pozicionet ushtarake të IDF-së në veri të vendit me raketa, mortaja dhe drone kamikazë, duket se frika për një lufte gjithëpërfshirëse në Lindjen e Mesme është rritur.

Izraeli këtë mëngjes paralajmëroi se do të “përgjigjet ndaj çdo ngjarjeje përgjatë kufirit të verior sot dhe në ditët në vijim”, e madje vetë kryeministri Benjamin Netanjahu u kujdes që t’i kërkonte Hezbollaut të mos “luajë me zjarrin”.

Nëse testohen limitet e Izraelit, sipas Netanjahut organizata terroriste e mbështetur nga Irani dhe që vepron në Liban do ta paguajë shtrenjtë.

Por më i ashpër se lideri hebre ka qenë në qëndrimin e tij mbi konfliktin e armatosur që po trondit Lindjen, kreu i Hezbollaut, Hassan Nasrallah.

Në fjalimin e tij të parë publik që nga ngjarja e 7 tetorit, udhëheqësi i milicisë i mbështetur nga Irani, kërcënoi Izraelin duke thënë se “të gjitha kartat janë të hapura” në tavolinë.

Nasrallah paralajmëroi se një sulm në Liban do të ishte “gabimi më naiv” që Tel Avivi mund të bënte.

Nëse armiku fillon të sulmojë çdo zonë të Libanit, ata do të bëjnë gabimin më të madh, do të tregoheshin budallenj. Do ta them me gjithë transparencën, në frontin tonë, të gjitha opsionet janë të hapura. Ne duhet të jemi gati për të gjitha opsionet. Ne jemi në gatishmëri shumë shumë të lartë”, tha Nasrallah.

Teksa Nasrallah po përgatitej të mbante fjalimin e tij televiziv, të shtëna festive shpërthyen mbi Bejrut ndërsa mijëra njerëz u grumbulluan në sheshe për ta ndjekur atë.

Udhëheqësi i Hezbollahut në nisje të fjalimit falenderoi “Irakun dhe Jemenin që iu bashkuan kësaj beteje” dhe vlerësoi protestat pro-palestineze që janë zhvilluar në mbarë botën.

“Të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se lufta kundër Izraelit është një shembull i qartë i kauzës së Zotit. Detyra jonë është të japim gjithçka, të besojmë në këtë thirrje, ne jemi gati të sakrifikojmë, të japim gjithçka. Operacioni i 7 Tetorit është i shenjtë. Disa prisnin që unë të shpallja luftë sot. Por ne jemi tashmë në luftë, që nga 8 tetori. Që nga ajo ditë rezistenca islamike në Liban është përfshirë në mënyrë aktive në një betejë të prekshme, graviteti i plotë i së cilës është vërtet i kuptueshëm vetëm për ata që ndodhen fizikisht në rajonin kufitar.”

Duke iu referuar më pas operacioneve në kufirin me Libanin, ai tha se ato po shkaktojnë “frikë në nivelin e komandës politike dhe ushtarake të armikut, si dhe te amerikanët, sepse ekziston frika se ky front mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm ose një luftë më të gjerë”.

Më tej lideri i Hezbollaut e ka cilësuar këtë “një betejë plotësisht legjitime, nga pikëpamja ligjore dhe fetare, kundër pushtuesit sionist”.

“Mbrojtja e popullsisë së Gazës sot përfaqëson një akt njerëzimi. Ata që heshtin për krimet izraelite kundër Gazës duhet të rimendojnë njerëzimin e tyre. Objektivi ynë i parë duhet të jetë përfundimi i luftës në Gaza, i dyti për të siguruar fitoren e rezistencës.”

Publikime te ngjashme