Escobar: I duam më të mirën Kosovës, kërkoj vetëm të dëgjohemi

1 minute, 21 seconds Read

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka ripërsëritur përkrahjen e madhe ndaj Kosovës duke thënë se kërkesa e vetme është që të dëgjohet komuniteti ndërkombëtar.

Kështu ka deklaruar ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, teksa ka potencuar se se duan më të mirën për Kosovën.

“Është një unitet i madh transatlantik, mes SHBA-së, BE-së e NATO-s, që ka paraqitur kërkesat e njëjta. Shpresoj të dëgjohemi. Jemi në fillim të misionit. Një gjë dua të them, erdha këtu si përkrahës i madh i Kosovës. Duam më të mirën për Kosovën, të arrijë të gjitha aspiratat. Jemi përkrahësit më të mëdhenj të sigurisë suaj, pavarësisë, sovranitetit, e integritetit territorial tuaj. Po kërkoj vetëm të dëgjohemi”, tha Escobar.

Ai ka thënë se e respekton Qeverinë e Kosovës dhe strukturën Kushtetuese të Kosovës, por ai ka thënë se po mundohet të gjendet një formulë për “harmoni mes grupeve etnike”.

Po ashtu, ai ka dënuar sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan nga protestuesit e dhunshëm serbë.

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në Dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Publikime te ngjashme