Erdogani merr vendimin e papritur para rundit të dytë të zgjedhjeve

1 minute, 48 seconds Read

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka thënë se nuk planifikon të mbajë tubime përpara rundit të dytë të zgjedhjeve, por do të takohet me viktimat e tërmetit shkatërrues, shkruan DailySabah.

“Unë do të vizitoj disa pjesë të zonës së tërmetit gjatë fundjavës. Nuk kam në plan të mbaj mitingje, por ndoshta do të mbajmë të ngjashme me tubimet në zonën e tërmetit”, ka thënë Erdogan.

Ai ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë votuar, pavarësisht se për kë kanë votuar, duke thënë se të gjithë e mbrojnë demokracinë dhe kontribuojnë për të ardhmen e vendit.

Erdogan ka thënë se blloku i tij dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet kanë nisur tashmë përgatitjet për 28 maj dhe do të shfrytëzojnë sa më shumë ditët para zgjedhjeve.

“Ne u qëndrojmë të gjitha premtimeve që kemi bërë në mitingjet parazgjedhore dhe do të fillojmë zbatimin pasi populli ynë të na japë leje më 28 maj”, ka thënë ai.

Erdogan ka premtuar të rindërtojë rajonin jugor të vendit duke ndërtuar gjithsej 650 mijë shtëpi të reja, nga të cilat 319 mijë do të dorëzohen brenda një viti.

Erdogan ka shtuar se në periudhën e re do të ketë një qeveri të fortë me eliminimin e mangësive ekzistuese. Ai ka premtuar se do të mbajë kontakte me të gjithë liderët botërorë në përputhje me interesat e Turqisë.

“Nuk bëhet fjalë për të sfiduar Rusinë siç bëri CHP. Nuk ka asnjë lider që më fyen. Unë negocioj me të gjithë ata. Kur e hedh vendin mënjanë, humbet”, ka thënë Erdogan.

Javën e kaluar, Kilicdaroglu akuzoi Rusinë se qëndron pas videove që synonin të diskreditonin disa kandidatë presidencialë. Moska i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se nuk mund të bëhet fjalë për ndonjë ndërhyrje ruse në zgjedhjet turke dhe se “ata që përhapin thashetheme të tilla janë gënjeshtarë”.

Erdogani mori 49.51% të votave, kundrejt 44.88% të Kilicdaroglut në rundin e parë të zgjedhjeve.

Publikime te ngjashme