Shtetet e Bashkuara zotërojnë tashmë “ndikim maksimal” mbi autoritetet e përkohshme të Venezuelës pas arrestimit të Nicolas Maduros dhe do të përcaktojnë drejtimin e vendimeve të tyre, deklaroi Shtëpia e Bardhë të mërkurën.
Në kuadër të këtij zhvillimi, presidenti Donald Trump do të presë të premten krerët e industrisë amerikane të naftës për të hartuar planet mbi sektorin energjetik venezuelan. Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, konfirmoi takimin vetëm pak ditë pas operacionit që i dha fund pushtetit të Maduros. “Ne aktualisht kemi kontroll të plotë mbi autoritetet e përkohshme në Venezuelë,” u shpreh Leavitt gjatë një konference, duke theksuar se çdo veprim i Karakasit do të vijojë të diktohet drejtpërdrejt nga Uashingtoni.
Megjithëse nuk ka dislokuar forca të mëdha në terren, Presidenti Trump ka insistuar se SHBA-ja do të “drejtojë” Venezuelën. Ky dominim po sigurohet përmes një bllokade të rreptë detare që paralizon eksportet e naftës dhe kërcënimit me forcë ushtarake, mjete këto që po garantojnë nënshtrimin e presidentes së përkohshme, Delcy Rodriguez.
Plani amerikan parashikon një marrëveshje, ende të pakonfirmuar zyrtarisht nga qeveria venezuelane, për dorëzimin e 30 deri në 50 milionë fuçive naftë drejt SHBA-së. Trump ka sugjeruar gjithashtu se korporatat amerikane do të investojnë miliarda dollarë në infrastrukturën e rrënuar të naftës, ndonëse asnjë marrëveshje konkrete biznesi nuk është formalizuar ende. Sekretari i Energjisë, Chris Wright, ka shkuar më tej duke deklaruar se kontrolli mbi shitjet e naftës venezuelane do të mbetet në dorë të Uashingtonit për një kohë të pacaktuar.
Në terren, SHBA-ja po zbaton me rreptësi bllokadën detare për të parandaluar çdo eksport të paautorizuar. Të mërkurën, forcat amerikane sekuestruan një anije cisternë në Atlantikun e Veriut pasi e ndoqën nga brigjet venezuelane. Leavitt sqaroi se mjeti lundrues, pjesë e “flotës në hije” të Venezuelës, mbante një flamur rus të rremë dhe po transportonte naftë të sanksionuar, duke shtuar se ekuipazhi do të përballet me drejtësinë./lajmishqip.net
