Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë publike ofertën e fundit të kryeministrit Albin Kurti lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit.
Hamza shpalosi kronologjinë e komunikimeve me kreun e ekzekutivit, duke zbuluar se ka pranuar një mesazh në “WhatsApp” nga Kurti, përmes të cilit i është ofruar PDK-së pozita e kryetarit të Kuvendit. Sipas këtij propozimi, ky shkëmbim do të bëhej në këmbim të postit të nënkryetarit që ky subjekt opozitar mban aktualisht në legjislativ.
Megjithatë, lideri i PDK-së ka vlerësuar se ky pazar politik është tërësisht antikushtetues, pasi akti më i lartë juridik e përcakton qartë se pozita e kryeparlamentarit i takon ekskluzivisht grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet.
“Kjo situatë e ka një zanafillë të qartë. Jam ndër të paktët liderë që asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik në vend. Pas certifikimit të rezultateve, unë kam bërë thirrje për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, por një vullnet i tillë ka munguar. Si Parti Demokratike, ne kemi ofruar gatishmërinë tonë që 22 votat tona të shkojnë për një kandidat nga familja emblematike Jashari, duke njohur rolin e tyre të papërsëritshëm për lirinë tonë. Deklarata e zotit Jashari për këtë çështje është plotësisht e vlerësuar dhe e pranueshme për ne, për shkak të kontributit të tyre unik për pavarësinë e Kosovës.
Përtej kësaj, unë nuk kam pranuar takime pa një protokoll të mirëfilltë zyrtar. Komunikimet përmes WhatsApp-it në ditë vikendi dhe ftesat joformale në zyrën e kryeministrit nuk i shërbejnë seriozitetit shtetëror. Gjatë bisedave tona, qëndrimi im ka qenë i prerë: presidenti duhet të jetë një figurë e propozuar nga PDK-ja, pa pasur nevojë që domosdoshmërisht të jetë pjesë e strukturave tona partiake. Por, as ky propozim parimor nuk u mor parasysh nga pala tjetër.
Unë kam insistuar në parime, kritere dhe marrëveshje politike para se të flitet për emra të përveçëm. Nuk mund të procedohet me emra pa pasur një pajtim paraprak politik mes palëve. Kemi kërkuar vazhdimisht ftesë zyrtare që do të shqyrtohej në organet tona drejtuese, siç janë Kryesia dhe Këshilli Drejtues. Fatkeqësisht, një ftesë e tillë formale nuk ka arritur kurrë në adresën tonë, ndonëse e dimë se Kurti dikur dërgonte letra të vazhdueshme për subjekte të tjera si LDK-ja.
Në rrethana të tilla, ne kemi mbledhur Këshillin Drejtues për të definuar pozicionin tonë. Kemi lënë hapësirë të mjaftueshme që zoti Kurti të bëjë përpjekjet e duhura për t’i dhënë vendit presidentin. Mirëpo, pikërisht sot, pranova një mesazh në WhatsApp ku na bëhet një ofertë për tregti postesh. Oferta parashikon që deputetët tanë të qëndrojnë në sallë për votim, e si kundërvlerë PDK-së t’i jepet posti i kryetarit të Kuvendit, duke i kaluar VV-së pozita e nënkryetarit që ne kemi.
Kjo qasje, fillimisht, tregon një mungesë totale serioziteti pasi organet e Kuvendit janë tashmë të zgjedhura dhe legjitime. Ne nuk kemi kërkuar pozita për veten tonë apo për anëtarët tanë, por jemi angazhuar për stabilitet institucional dhe politik të Republikës. Së dyti, kjo ofertë është krejtësisht e parealizueshme në rrafshin politik. Dhe së treti, e që është më rëndësishmja, ky propozim bie ndesh me Kushtetutën dhe rregulloren e punës së Kuvendit. Kryetari i takon fituesit të zgjedhjeve, ndërsa nënkryetarët janë përfaqësues të partive, prandaj kjo rrugë është juridikisht e mbyllur.
Është evidente se zoti Kurti që nga fillimi ka pasur një agjendë të fshehtë për ta dërguar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Rrugëtimi i tij, duke filluar nga formimi i Kuvendit e deri te neglizhenca për presidentin, flet vetë. Mesa duket, zgjedhja e kryetarit të shtetit për të është vetëm një opsion “kur të bëhet”./lajmishqip.net

